Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban tha se çdo sulm ndaj tubacionit të “Rrjedhës Turke” që transporton në Turqi dhe përmes Turqisë në Evropë gazin natyror të Rusisë, do ta konsiderojnë si sulm terrorist dhe se do të veprojnë sipas kësaj.

Në një fjalim javor në “Kossuth Radio”, radion shtetërore të Hungarisë, kryeministri Orban vuri në dukje se tubacioni i gazit natyror “Rrjedha Veriore” u shpërthye dhe se ky është një sulm terrorist. “Nëse ndonjë shtet ka gisht në këtë ngjarje atëherë ai është një shtet terrorist”, theksoi Orban.

Ai deklaroi se pas sulmit të kryer ndaj tubacionit të “Rrjedhës Veriore”, gazi rus transportohet në Hungari përmes “Rrjedhës Turke” dhe se çdo përpjekje për ta shpërthyer ose për ta lënë jashtë funksioni këtë, do të konsiderohet nga vendi i tij si sulm terrorist dhe se do të veprohet sipas kësaj.

“Mes Rusisë dhe Ukrainës duhet të sigurohet sa më parë armëpushim dhe të kalohet në bisedimet e paqes”, potencoi Orban i cili shtoi se inflacioni dhe çmimet e energjisë nuk do të ulen për sa kohë që lufta vazhdon dhe Perëndimi i përgjigjet kësaj me sanksione.

Kryeministri hungarez ka kritikuar politikën e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë duke thënë se vendi i tij pavarësisht se është i përjashtuar nga sanksionet e energjisë kundër Rusisë, është i prekur nga çmimet e larta të energjisë.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re