Kryeministri i Italisë, Mario Draghi në konferencën e përbashkët për mediat me kryeministrin Edi Rama është shprehur se Italia do të mbështesë gjithmonë Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Mes të tjerash, Draghi e falënderoi edhe njëherë kryeministrin shqiptar për solidaritetin gjatë periudhës së vështirë të pandemisë.

“Ne ishim takuar edhe më parë, por nuk kemi pasur mundësinë të flisnim sy më sy. Doja ta falënderoja Ramën për solidaritetin që Shqipëria ka pasur me Italinë në periudhën më të errët gjatë pandemisë. Marrëdhënia jonë është shumë e fortë, nuk ka nevojë për fjalë.

Italia e ndjek nga afër procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Italia do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në këtë rrugë të saj. Edhe bashkëpunimi në Gjyqësor dhe sigurisë ecën shumë mirë dhe sot folëm për këtë. Mund të them se Italia do t’i japë një mbështetje të plotë Shqipërisë”, tha Draghi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re