Skip to content

Kryeministri i Malajzisë dënon sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës

Kryeministri i Malajzisë, Muhyiddin Yassin, dënoi fuqishëm sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës të cilat kanë shkaktuar vdekjen e dhjetëra palestinezeve.

Në një deklaratë, Yassin, sulmet izraelite i quajti një “shpërfillje totale dhe e qartë e të gjitha ligjeve ndërkombëtare”.

Ai përsëriti shqetësimin e vendit të tij rreth sulmeve të vazhdueshme ndaj besimtarëve palestinezë në Xhaminë Al-Aksa si dhe dëbimeve me forcë të palestinezëve nga shtëpitë e tyre.

“Në këto ditë të fundit të muajit të shenjtë të Ramazanit, këto agresione të urryera me shënjestër kundër vëllezërve dhe motrave tona janë me të vërtetë mos respektuese jo vetëm ndaj muslimanëve në të gjithë botën, por ndaj njerëzimit në përgjithësi”, tha ai.

“Përdorimi i vazhdueshëm forcës së tepruar nga Izraeli kundër popullit palestinez, veçanërisht gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, është i pajustifikueshëm dhe i papranueshëm për të cilin Izraeli duhet të mbajë përgjegjësi”, shtoi Yassin.

Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ngrenë zërin e tyre kundër “agresionit joproporcional dhe mizor ndaj Palestinës”.

Tensionet janë duke u rritur që nga java e kaluar pasi një gjykatë izraelite urdhëroi dëbimet e familjeve palestineze në lagjen Sheikh Jarrah të Kudsit Lindor.

Palestinezët të cilët protestuan duke u solidarizuar me banorët e Sheikh Jarrah u vënë në shënjestër të forcave izraelite.

Gjithashtu, sulmet ajrore në Rripin e Gazës nga forcat izraelite kanë rezultuar në vrasjen e 35 palestinezëve dhe plagosjen e 220 të tjerëve.

Pesë izraelitë gjithashtu janë vrarë dhe 45 të tjerë janë plagosur në sulmet me raketa palestineze.