Kryeministri i Irakut, Mohammed Shia Al-Sudani tha se së shpejti me Türkiye-n do të vihen në zbatim projektet e reja strategjike.

Në një intervistë për televizionin Al Jazeera, kryeministri irakian Al-Sudani lidhur me marrëdhëniet me Türkiye-n tha: “Me Türkiye-n fqinje kemi shumë partneritete dhe interesa. Ka disa probleme për çështjen e ujit dhe sigurisë por ka mundësi të mëdha për zgjidhjen e këtyre problemeve. Ne i jemi mirënjohës përpjekjeve të Türkiye-s për të siguruar pjesën e ujit të Irakut”.

Duke bërë të ditur se dëshirojnë të ndërtojnë bashkëpunimin ekonomik me Türkiye-n, kryeministri irakian deklaroi se “Së shpejti do të vihen në zbatim projekte të reja strategjike që do të forcojnë marrëdhëniet dypalëshe”.

Më tej Al-Sudani tha se nuk do të lejojnë që Iraku të jetë fushë sulmi ndaj vendeve fqinje dhe se për garantimin e sigurisë së kufijve janë kryer punime përmes komisioneve të përbashkëta me Türkiye-n dhe Iranin.

Ai shtoi se dakordimi i siguruar mes Iranit dhe Arabisë Saudite është i rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit. Al-Sudani mbrojti idenë se edhe Siria duhet të rikthehet në Ligën Arabe.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re