VALENTINA MADANI/ Kryeministri Edi Rama njoftoi dje për krijimin e një tjetër ministrie, atë të ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Për të drejtuar këtë dikaster, Rama propozoi emrin e Adea Pirdenit, e cila ka mbajtur postin e zv.ministres së Drejtësisë. Tri ditë pasi në mënyrë krejt të beftë ndryshoi strukturën e qeverisë me krijimin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Kryeministri Edi Rama vendosi të ndërhyjë sërish në kabinetin qeveritar. Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ai bëri të ditur se ka vendosur t’i propozojë Presidentit të Republikës të dekretojë emërimin e Adea Pirdenit si ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

“Do t’i dërgoj Presidentit të Republikës propozimin për miratimin e një tjetër anëtari të ri të kabinetit qeveritar, si ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Këtë detyrë do ta kryejë zonja Adea Pirdeni”, deklaroi Rama.

Më tej, ai sjell edhe argumentet për këtë ndërhyrje, duke e lidhur krijimin e një ministrie të tillë me nevojat që ka nxjerrë në pah procesi i integrimit të vendit në BE.

“Në këtë fazë të re zhvillimi të vendit dhe në kushtet kur Shqipëria po punon për kapitujt e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian kërkohet një qasje e re ndaj administratës publike, për të rritur krahas pagave konkurruese dhe cilësinë e burimeve tona njerëzore, duke rishikuar me një sy më kërkues e me ekspertizë më të konsoliduar organizimin e institucioneve, strukturat e funksionet e tyre”, shprehet Edi Rama.

Gjithashtu, ai nënvizon se ky proces negociatash kërkon edhe një hov tjetër në luftën kundër korrupsionit.

“Është e udhës që politikat antikorrupsion të qeverisë të harmonizohen më mirë mes institucioneve të ekzekutivit, me ekzigjencat e procesit sfidues të negociatave me BE për të gjitha institucionet e vendit, si edhe me vetë shoqërinë civile e sipërmarrjen”, deklaroi Rama. Në komentin e tij që shoqëron propozimin për kreun e shtetit, Rama shprehet se Adea Pirdeni ka kryer tre vjetët e fundit rolin e zv.ministres së Drejtësisë dhe ka spikatur me lidershipin e me profesionalizmin e saj në rolin e zv.kryenegociatores me Bashkimin Europian, si edhe në mbulimin e kapitullit e Gjyqësorit e të Drejtave Themelore.

Krahas propozimit të Adea Pirdenit, në tryezën e kreut të shtetit pret për dekretim edhe emri i Blendi Gonxhes, i cili të hënën u propozua si ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Nga zv.ministre e Drejtësisë te ministre e Antikorrupsionit

Adea Pirdeni ka përfunduar studimet në drejtësi, në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, prej të cilit zotëron edhe një diplomë të studimeve master në të Drejtë Publike. Ajo ka kryer vizita studimore në kuadër të programeve të shkëmbimit pranë Universitetit Humboldt Berlin (Gjermani) dhe pranë Universitetit të Kansasit (SHBA).

Që prej vitit 2008, znj. Pirdeni angazhohet si lektore me kohë të plotë pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës në disiplinat e së Drejtës Kushtetuese, të Drejtës Kushtetuese të Avancuar, të Drejtës së BE dhe të Drejtës Administrative. Fushat kryesore kërkimore të saj janë aspektet kushtetuese të mirëqeverisjes dhe të drejtave të njeriut, integrimi evropian, si dhe reforma në drejtësi, për hartimin dhe implementimin e së cilës ajo ka kontribuuar si Eksperte e Sekretariatit Teknik pranë Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë.

Në vazhdën e eksperiencave profesionale, Pirdeni ka shërbyer ndër vite si trajnere e jashtme pranë Shkollës së Magjistraturës, Shkollës së Avokatisë së Shqipërisë dhe Shkollës Shqiptare të Administratës Publike.

Pirdeni ka një bagazh të gjerë angazhimi si eksperte ligjore në një numër projektesh të zbatuara nga institute dhe organizata vendase, si dhe partnerë ndërkombëtarë, me fokus në asistimin në përmirësimin e performancës dhe rritjen e kapaciteteve të institucioneve qendrore të administratës publike, forcimin e kapacitetit për hetimin dhe ndjekjen e korrupsionit në Shqipëri dhe vendet fqinje në rajon, mbështetje për përgatitjen e përafrimit të legjislacionit për Kapitullin 23 të Acquis-së së BE në kuadër të integrimit evropian të Shqipërisë dhe monitorimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi në Shqipëri.

Prej shtatorit 2020, Adea Pirdeni shërben si zëvendësministre e Drejtësisë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re