Kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store tha se bisedimet e zhvilluara nën organizimin e vendit të tij me anëtarët e talebanëve janë të nevojshme.

Sipas lajmit të “Zërit të Amerikës” Store ka dhënë deklarata për gazetarët në New York duke potencuar se pavarësisht protestave nga grupet e të drejtave të njeriut, bisedimet që u mbajtën me anëtarët e talebanëve në Oslo gjatë 23-25 janar janë të nevojshme.

Ai tha se pritja e administratës talebane në vend ishte një veprim i vështirë për qeverinë. Store shpjegoi se mbledhjet nuk nënkuptojnë “legjitimimin” e qeverisë talebane.

Store i ka cilësuar bisedimet si një “hap i parë” i hedhur për të parandaluar krizën humanitare në Afganistan dhe një “kuadër” ku talebanëve u janë përcjellë pritshmëritë dhe mesazhet ndërkombëtare. Po ashtu kryeministri norvegjez bisedimet i ka cilësuar si “të sinqerta” dhe “serioze”.

Pasi foli për situatën humanitare në Afganistan, Store tha se 1 milion fëmijë ndodhen përballë rrezikut të urisë dhe se gjysma e popullsisë ka nevojë për ndihmë.

Në bisedimet që u zhvilluan me dyer të mbyllura, krahas ndihmave humanitare që do të dërgohen në vend është diskutuar edhe për shkollimin e femrave afgane dhe gjithëpërfshirjen e qeverisë talebane.

Tomas Niklasson, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian që u takua në Oslo me delegacionin taleban, në një postim nga Twitteri njoftoi se në takim kanë vënë theksin mbi “vitin e ri arsimor në Afganistan që filloi në mars dhe nevojën që shkollat fillore dhe të mesme të jenë të aksesueshme për djemtë dhe vajzat”.

Në një deklaratë nga Ministria e Jashtme norvegjeze ishte njoftuar se përfaqësuesit talebanë u ftuan në Oslo më 23-25 janar.

Delegacioni taleban u njoftua se në Norvegji krahas qeverisë norvegjeze dhe përfaqësuesve të disa vendeve aleate do të zhvillonte takime edhe me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re