Kryeministri pakistanez Imran Khan ka akuzuar Indinë për mbështetjen e grupit terrorist DEASH për të nxitur sektarizmin në vend.

Duke iu referuar vrasjeve të pretenduara nga DEASH-i të 11 minatorëve shiitë në Balochistanin jugperëndimor javën e kaluar, Khan tha: “Ky është mendimi unanim i qeverisë sonë dhe agjencive tona të sigurisë se India po mbështet DEASH-in”.

Duke folur me personat me ndikim në rrjetet sociale në kryeqytetin Islamabad, Khan akuzoi sot Indinë për nxitjen e përçarjes shia-suni në Pakistan.

“Objektivi i qeverisë së Narendra Modit është të ndezë sektarizmin në Pakistan duke vrarë dijetarë shia dhe suni. Por agjencitë tona të sigurisë paraprakisht u paraprinë planeve dhe arrestuan shumë terroristë”, tha ai, veçanërisht duke iu referuar vrasjes së dijetarit suni Maulana Adil Khan në qytetin Karaçi vitin e kaluar.

Shumë dijetarë fetarë janë vrarë në Pakistan në të kaluarën e afërt.

Khan tha se terroristët arritën të shënjestronin komunitetin shia Hazara duke përfituar nga natyra e largët e zonës.

“Për fat të keq, disa grupe militante u shfaqën pas përmbysjes së trupave sovjetike në vitin 1989. Këto grupe na kanë shkaktuar një dëm të madh”, tha ai, duke shtuar se këto grupe sektare tani janë shndërruar në DEASH.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re