Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, tha se promovimi i bashkëpunimit të mbrojtjes midis Pakistanit dhe Turqisë është për paqe, jo për luftë apo agresion.

Duke folur në ceremoninë e inaugurimit të anijes së tretë nga katër anijet korvetë MILGEM të prodhuara nga Turqia për Marinën e Pakistanit në kantierin detar të Istanbul-it, Sharif falënderoi presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe popullin turk që qëndrojnë gjithmonë pas vendit të tij në çdo kohë të vështirë.

“Pakistani dhe Turqia janë thellësisht të angazhuara në promovimin e aftësive tona mbrojtëse për paqe, jo për luftë apo agresion. Dhe siç thuhet, nëse doni të jetoni në paqe, duhet të jeni të përgatitur për luftë”, tha Sharif.

“Pra, kjo (anija korvetë MILGEM) nuk është për agresion. Kjo është për mbrojtje”, shpjegoi ai.

Sharif, së bashku me presidentin Erdoğan, përuruan anijen e tretë të quajtur PNS Khyber, ndërsa zyrtarë të tjerë nga të dyja palët morën pjesë gjithashtu në ceremoni.

Kryeministri pakistanez vlerësoi oficerët, inxhinierët dhe punëtorët e marinës dhe tha se të gjithë kanë bërë një punë të shkëlqyer duke ndërtuar këtë anije të mrekullueshme.

Sharif e quajti Turqinë shtëpinë e tij të dytë dhe tha: “Sot është një tjetër ditë e madhe në marrëdhëniet historike dhe vëllazërinë midis dy vendeve”.

Në korrik të vitit 2018, Marina e Pakistanit nënshkroi një kontratë për blerjen e katër anijeve të klasit MILGEM me kompaninë shtetërore turke të mbrojtjes ASFAT.

Sipas planit, dy korveta do të pordhohen në Turqi dhe dy të tjerat në Pakistan, që përfshin edhe transferimin e teknologjisë.

Ai falënderoi gjithashtu presidentin dhe popullin turk për ndihmën dhe qëndrimin pas Pakistanit gjatë përmbytjeve të fundit.

“Kohët e fundit, kur Pakistani u godit nga një nga përmbytjet më shkatërruese, Türkiye ishte përsëri në vijën e parë. Ishte shumë mirë kur presidenti Erdoğan më thirri atë natë dhe më tha, Shehbaz Sharif, çfarë mund të bëj për ty, dhe çfarë mund të bëjë Turqia për Pakistanin”, kujtoi ai.

Ai tha se Turqia dërgoi 72.000 tonë ndihmë humanitare, me 15 avionë ushtarakë turq, 13 trena dhe kamionë të Gjysmëhënës së Kuqe Turke, të cilët sollën ndihmë humanitare për viktimat e përmbytjeve.

Sharif vlerësoi gjithashtu përpjekjet e presidentit turk në marrëveshjen historike të drithit të Detit të Zi dhe tha se kjo marrëveshje e shpëtoi botën nga një mungesë e madhe gruri dhe produkteve të tjera.

Shefi i Marinës së Pakistanit vlerëson “mbështetjen reciproke”

Duke folur në ceremoni, shefi i Marinës së Pakistanit, Admirali Muhammad Amjad Khan Niazi, tha se inkuadrimi i anijeve korvetë MILGEM në marinën e tyre do të forcojë më tej aftësitë e mbrojtjes detare dhe parandalimit.

“Inkuadrimi i këtyre anijeve në Marinën e Pakistanit do të forcojë ndjeshëm aftësitë tona të mbrojtjes detare dhe parandaluese, të cilat do të sigurojnë dete të sigurta dhe të qëndrueshme për tregtinë dhe ekonominë ndërkombëtare”, tha ai.

Ai shtoi se prania e lidershipit të lartë të dy vendeve në ceremoni tregon marrëdhënie të përzemërta mes dy vendeve vëllazërore.

“Pakistani dhe Turqia gëzojnë marrëdhënie historike dhe të veçanta. Miqësia afatgjatë dhe e rrënjosur ka duruar provën e kohës dhe mbështetet fort në shtyllat e besimit, respektit të thellë dhe mbështetjes së ndërsjellë të bazuar në parime”, tha Khan Niazi.

Ai shtoi se e njëjta gjë manifestohet në bashkëpunimet ushtarake, për çka sipas tij, “ndërtimi i anijeve korveta MILGEM për Marinën e Pakistanit është dëshmi”.

Siç theksoi shefi i Marinës së Pakistanit, anija e parë korvetë për Marinën e Pakistanit, PNS Babar, u lançua në Istanbul në muajin gusht 2021, ndërsa anija e dytë, PNS Badr, filloi të ndërtohet në Karaçi në maj të këtij viti.

Në ceremoni fjalim mbajti edhe Israr Tarin, ministër për Prodhimin e Mbrojtjes së Pakistanit.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re