Kryeministri palestinez Mohammad Shtayyeh në edicionin e 26-të të Konferencës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për Ndryshimet Klimatike, ose COP26, tha se Izraeli po shkatërron sistematikisht mjedisin në Palestinë.

Në një deklaratë nga kryeministria thuhet se Shtayyeh në konferencën që mbahet në Glasgow, Skoci, nënvizoi problemet mjedisore të krijuara nga Izraeli në Palestinë.

Vendbanimet hebraike, guroret dhe deponitë ku grumbullohen mbetjet kimike, elektronike ose mbetjet e tjera, janë ndër faktorët më të rëndësishëm që shkaktojnë ndotjen e mjedisit në Palestinë, tha Shtayyeh, duke paralajmëruar se efektet negative të tyre do të dyfishohen me ndryshimin e klimës.

“Ata që shikojnë hartën moderne të Palestinës shohin se si mjedisi është shkatërruar sistematikisht”, tha ai, duke vënë në dukje se Izraeli ka shkulur afërsisht 2,5 milionë pemë në Palestinë që nga viti 1967, 800.000 prej të cilave ishin ullinj.

Shtayyeh tha gjithashtu se kapaciteti vjetor i ujit të Palestinës është afërsisht 800 milionë metra kub, ndërsa Izraeli ka “vjedhur” 600 milionë metra kub, duke shtuar se kjo është pjesë e “politikave sistematike kolonialiste të Izraelit për të kthyer tokat tona në shkretëtirë dhe për t’i pushtuar ato”.

Ai gjithashtu tha se Deti i Vdekur do të thahet në vitin 2044 pasi burimet e tij janë varfëruar dhe mineralet dhe kripërat e tij minohen për t’i shërbyer industrive izraelite.

Kryeministri palestinez tha se vendi i tij po lufton me ndryshimet klimatike, duke shtuar se ata nënshkruan Marrëveshjen e Parisit për Klimën në vitin 2016 dhe janë një nga vendet që kanë përgatitur një plan të përshtatjes klimatike.