Skip to content

Kryeministri Rama: Shqipëria, mikpritëse e Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027

edi rama7

Kryeministri Edi Rama, gjatë tryezës së diskutimit me përfaqësues të Bankës së Shqipërisë, tha se Shqipëria në vitin 2027, do të jetë mikpritëse e Kongresit Botëror të Ligjit.

“Një kërkese ndjese sepse kemi një udhëtim për jashtë dhe më duhet të largohem. Ju kërkoj shumë ndjesë, por është një koment i rëndësishëm sepse duhet të marrin konfirmimin e një aktiviteti me shumë më vlerë për Shqipërinë. Shqipëria është bërë mikpritëse e Kongresit Botëror të Ligjit, në 2027. Prandaj, duhet të shkojmë ta marrim këtë gjë”, tha Rama, para se të largohej nga takimi.

Kujtojmë se Këshilli i Ministrave më 29 janar ka miratuar një fond shtesë në buxhetin e vitit 2025, për Ministrinë e Drejtësisë, për organizimin e këtij Kongresi.

“Më propozim të ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, Këshilli i Ministrave vendosi: “Ministrisë së Drejtësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2025, në zërin “Shpenzime korrente”, të programit “Planifikim, menaxhim, administrim”, i shtohet fondi prej 150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë) lekësh, për pagimin e kuotës për organizimin e Kongresit Botëror të së Drejtës 2027 në Tiranë”.

Fondi prej 150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë) lekësh, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2025.

Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare””, thuhet në VKM.

“”