Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, është shprehur se kërkesa e kryeministrit Edi Rama që KFOR të marrë në dorëzim veriun e Kosovës, është një propozim i ardhur nga Serbia.

Komentet Alizoti i bëri në studion e emisionit “Open” në News24, ku ka folur në lidhje me qëndrimin e kryeministrit Rama për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.

Ao shtoi se qëndrimi i Ramës nuk është i drejtë dhe i kuptueshëm, pasi sipas tij, ai sillet si kryeministri i Suedisë apo si i dërguari i OKB-së dhe jo si të ishte kryeministri shqiptar.

Alizoti shtoi se propozimi i Rama duhet të koordinohet me Kosovën për politikën e jashtme dhe shtoi se propozimi i kryeministrit shqiptar për një konferencë paqeje është “gafë diplomatike”, pasi Kosova është një shtet i pavarur.

“Qëndrimi i Ramës është atipik në 100 vjet shtet. Sjellja e tij është e pakuptueshme. Nuk dua të fus termat banalë tradhtar, por është nonsens. Ai sillet si kryeministri i Suedisë. Ndoshta e bën nga panjohuria, por në çdo vendim Shqipëria duhet të koordinohet me Kosovën.

Prezencën e KFOR e ka kërkuar Vuçiçi dhe Daçiçi. Nëse kjo është pro atyre kjo nuk koordinon me interesat shqiptarë. Gjysma e kombit shqiptar ndodhet në Kosovë dhe Rama del pas pesë ditësh dhe flet pa platforma. Ai është kryeministri i Shqipërisë dhe ka detyrë humane të rreshtohet krahë Kosovës. Ai nuk është i dërguari i OKB-së apo akademik që punon për tezat e tij gjeopolitike. Serbia është një vend tmerrësisht i rrezikshëm që ka prodhuar gjenocid dhe luftra duke vrarë mijëra njerëz. Ka bërë diçka që as Rusia nuk ka tentuar të bëjë. Cili president normal do citonte që është gati të vdesin dhe nuk e njohin Kosovën? Këtë mund ta thotë Al Kaeda ose ISIS, jo një shtet që synon BE-në.

Pse Kroacia armatoset? Nuk e njohin ata Serbinë? E kuptojnë se fqinji përballë është i rrezikshëm. Pse nuk bën të njëjtën gjë kryeministri shqiptar? Pse kërkon konferencë për paqe kur Kosova është shtet i pavarur? Janë gafa diplomatike, shpresoj të mos jenë skenarë”, u shpreh ai.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re