Kryeministri i Sllovakisë, Igor Matoviç, pranoi të tërhiqet nga posti i tij për shkak të mosmarrëveshjeve në qeverinë e koalicionit për blerjen e vaksinave ruse Sputnik V kundër koronavirusit të ri(COVID-19).

Matoviç njoftoi të dielën se ai është dakorduar të largohet si kryeministër me kusht që të ndërronte postet me ministrin e Financave, Eduard Heger.

Partnerët e koalicionit qeveritar i pranuan kushtet dhe kanë njoftuar se koalicioni i tyre do të vazhdojë.

Tensionet midis partnerëve të koalicionit shpërthyen kur Matoviç bëri një marrëveshje për të blerë vaksinat Sputnik V pa dijeninë e partnerëve të tjerë.

Ministri i Punës, Rinisë dhe Familjes, Milan Krajniak, nga Partia ZA LUDI (Për Njerëzit) tha se kryeministri duhet të japë dorëheqjen për shkak të marrëveshjes me Rusinë.

Më vonë, ministri i Ekonomisë dhe zëvendës kryeministri Richard Sulik nga Partia SAS (Liria dhe Solidariteti) dha dorëheqjen.

Matoviç nga ana tjetër, mbrojti marrëveshjen për vaksinën, duke thënë se kjo do të përshpejtojë vaksinimet në vend.