Kryeministri suedez i qendrës së majtë, Stefan Lofven, njoftoi dorëheqjen e tij pasi parlamenti suedez votoi mosbesimin javën e kaluar.

Në një konferencë për media, Lofven tha se ai do të donte të formonte një qeveri të re nëse kryetari i parlamentit e emëron atë.

Ai tha që shkuarja në zgjedhje të parakohshme nuk është një “mundësi e mirë” për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), duke shtuar se ai është një kandidat për të formuar qeverinë përsëri.

Lofven, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 2014, u bë kryeministri i parë suedez që humbi një votë besimi më 21 qershor mbi reformat e planifikuara për të lehtësuar kontrollet e qirasë për apartamentet e reja.

Mocioni i mosbesimit i paraqitur nga Partia Demokratike Suedeze e krahut të djathtë u miratua pasi 181 deputetë votuan pro dhe 109 kundër. Rreth 51 anëtarë të parlamentit abstenuan nga votimi dhe tetë të tjerë munguan.

Pas dorëheqjes së Lofven-it, Kryetari i Parlamentit, Andreas Norlen, pritet të takohet me përfaqësuesit e partive politike javën e ardhshme për të diskutuar formimin e një qeverie të re.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re