Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, është larguar nga Samiti i liderëve të Bashkimit Evropian, pasi mësoi se një ligjvënës me të cilin u takua më herët u testua pozitiv për koronavirusin e ri (COVID-19).

“Kryeministrja Sanna Marin është larguar nga takimi i Këshillit Evropian në kuadër të masave të përkujdesjes. Kryeministrja Marin ka kërkuar nga kryeministri suedez, Stefan Lofven, të përfaqësojë Finlandën në pjesën e mbetur të takimit”, njoftoi në Twitter zyra përfaqësuese e Finlandës në BE. 

Kryeministrja Marin do të kthehet menjëherë në Finlandë dhe do të testohet për COVID-19. Ajo më pas do të vetë-karantinohet në Kesaranta, rezidencën zyrtare të kryeministrisë në Helsinki. 

Udhëheqësit e BE-së dje u mblodhën në Bruksel në një takim dy-ditor për të diskutuar mbi marrëveshjen tregtare pas Brexit-it, pandeminë e koronavirusit, mënyrat për të trajtuar ndryshimet klimatike, sanksionet ndaj Rusisë dhe marrëdhëniet e ardhshme me Afrikën. 

Poashtu edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dje u largua nga Samiti i udhëheqësve të BE-së pasi një nga anëtarët e ekipit të saj rezultoi pozitiv ndaj COVID-19.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re