Kryeministrja e Skocisë, Nicola Sturgeon sot njoftoi dorëheqjen e saj nga posti i kryeministres, por edhe të kryetares së Partisë Kombëtare të Skocisë (SNP).

“Njoftoj qëllimin tim që të tërhiqem nga funksioni i kryeministres dhe kryetares së partisë time”, deklaroi Sturgeon pas konferencës për media në Edinburg.

Sturgeon tha se ka kërkuar nga organet relevante të partisë të nisin procesin e zgjedhjes së udhëheqësit të ri të partisë dhe se detyrën do ta mbajë deri në zgjedhjen e pasardhësit të saj.

Sturgeon, e cila njëkohësisht është kryeministrja më jetëgjate e Skocisë, tha se e di se “ka ardhur koha që të tërhiqem”.

“Ky vendim u mor pas një vlerësimi të thellë dhe të gjatë. Kjo është e drejtë për mua, për partinë dhe shtetin tim”, tha Sturgeon.

Duke dhënë sqarime rreth vendimit, ajo tha se megjithëse pozicioni i saj ka qenë një “privilegj”, ai gjithashtu ishte “me të vërtet i vështirë”.

Ajo shtoi se detyrën e kryeministres mund ta kryeni vetëm “absolutisht duke dhënë më të mirën tuaj”.

Sturgeon në postin e kryeministres ishte që nga nëntori i vitit 2014, pasi mori detyrën nga Alex Salmond.

Sturgeon është kryeministrja e parë femër e Skocisë dhe gjithashtu gruaja e parë që drejton ndonjë nga administratat e decentralizuara të Mbretërisë së Bashkuar.

Ajo mbështeti fuqishëm mbajtjen e një referendumi të ri për pavarësinë e Skocisë, por një proces i tillë nuk u lejua nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re