I ftuar në emisionin “Prime News24”, gazetari Poli Hoxha ka lëshuar një paralajmërim lidhur me situatën brenda Partisë Socialiste dhe qëndrimin ndaj reformave të fundit, duke përmendur pakënaqësi dhe lëvizje të mundshme nga vetë deputetët e mazhorancës.
Gjatë fjalës së tij, Hoxha u shpreh se një grup prej dhjetë deputetësh socialistë janë me dy mendje, ndërsa u bëri thirrje atyre që të reagojnë hapur brenda Kuvendit, duke përmbysur karriget dhe duke u bashkuar me frymën e protestave.
“Nja 10 deputetë të PS janë me dy mendje. Më kanë thënë mua. Deputetët le të hedhin vezë aty brenda, t’i përmbysin karriget brenda dhe ta ndezin protestën jashtë,” u shpreh gazetari.
Më tej, gazetari Poli Hoxha u ndal te reforma territoriale, duke e cilësuar atë si plotësisht të palegjitimuar për shkak të mënyrës se si përfaqësohen qytetarët në raport me këshillat bashkiakë dhe deputetët e dalë nga listat e mbyllura.
“Nuk ka legjitimitet kjo reformë territoriale vetëm për faktin se 15 bashkitë, këshillat bashkiakë, këta deputetë janë më pak përfaqësues se këshilltarët bashkiakë respektivë. Ata janë zgjedhur drejtpërdrejt nga populli, ndërsa deputetët vijnë nga listat e mbyllura,” theksoi Hoxha në studio.
