Kryetari i Asamblesë së Madhe Popullor të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, duke theksuar se vendi i tij nuk e sheh Afrikën ashtu siç e shohin Perëndimorët, tha se Turqia dhe Algjeria, që është ndër vendet me ndikim, e fuqishme dhe strategjike në Afrikë, mund të punojnë së bashku për kontinentin.

Şentop, i cili mori pjesë në konferencën e 17-të të Unionit Parlamentar të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (ISIPAB) që përfundoi dje në kryeqytetin Algjer, iu përgjigj pyetjeve të gazetarit të Anadolu Agency (AA) lidhur me marrëdhëniet Turqi- Afrikë, marrëdhëniet Turqi-Algjeri dhe sulmet ndaj Kuranit në disa vende evropiane.

Ai theksoi se marrëdhëniet Turqi-Algjeri janë në një nivel të mirë që nga data kur vendi afrikan e fitoi pavarësinë.

Duke tërhequr vëmendjen se Algjeria është një vend shumë strategjik, Şentop tha: “Është (vend) i rëndësishëm qoftë me pozitën që e ka në rajonin e Mesdheut, qoftë me faktin se është një nga vendet strategjike më me ndikim, më të fuqishme dhe më të rëndësishme në Afrikë. Prandaj, marrëdhëniet Algjeri-Türkiye, përtej marrëdhënieve bilaterale, janë marrëdhënie që mund të krijojnë një sinergji të madhe në Afrikë, rajonin e Mesdheut, botën islame”.

Ndryshe nga perspektiva e vendeve perëndimore ndaj Afrikës, sipas tij, Turqia shfaq një qasje të bazuar tek njeriu dhe në kuadër të parimit të bashkimit.

“Natyrisht, ne vendet e Afrikës nuk i shohim ashtu sikurse i shohin vendet perëndimore. Me një pjesë të konsiderueshme të njerëzve që jetojnë këtu njëkohësisht kemi lidhje historike dhe kulturore. Veçanërisht me Afrikën Veriore, në aspektin fetar kemi lidhje. Jashtë kësaj, edhe me vendet e tjera kemi lidhje të shumta kulturore”, tha Şentop.

Kryeparlamentari turk theksoi se vendi i tij ofron përfitime për vendet e kontinentit duke ofruar punësime lokal në Afrikë.

“Domethënë, biznesmenët tanë nuk kanë qasje të tillë që të vijnë dhe të shfrytëzojnë burimet njerëzore, burimet nëntokësore dhe pasuritë mbitokësore dhe t’i çojnë në vendet e tyre, siç bëjnë perëndimorët. Nuk është e mundshme që Turqia të pranojë një politikë të tillë”, u shpreh ai, duke shtuar se vendi tij ndaj kontinentit afrikan zbaton parimin fito-fito.

Mes tjerash, ai tha se rrjeti diplomatik i Turqisë në Afrikë është zgjeruar shumë dhe se punojnë gjithmonë për të zhvilluar marrëdhëniet në fushat e politikës dhe tregtisë.

“Ne e dimë gjithashtu fuqinë, ndikimin dhe rëndësinë strategjike të Algjerisë në këtë çështje. Ne mendojmë se ka gjëra që mund të bëjmë në Afrikë së bashku me Algjerinë”, vlerësoi Şentop.

Ai tha se marrëdhëniet me Algjerinë kanë një vend shumë të veçantë në Turqi,duke shtuar se vëllimi tregtar mes dy vendeve ka arritur në 5,3 miliardë dollarë, me një rritje prej 28 për qind në një vit.

Sulmet ndaj Kuranit

Duke theksuar se Evropa ka një qasje hipokrite dhe me standarde të dyfishta në qëndrimin e saj ndaj muslimanëve, Şentop tha: “Shohim se kjo qasje hipokrite, me standarde të dyfishta, anti-islame dhe anti-muslimane në Evropë nuk ka ndryshuar, mentaliteti apo modeli i kryqëzatave të shekujve më parë vazhdon”.

Sipas tij, shtetet e Suedisë, Holandës dhe Danimarkës janë bërë partnere të sulmeve ndaj librit të shenjtë të dy miliardë muslimanëve, duke shtuar se këto sulme janë bërë nën mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e shtetit.

Şentop theksoi se konceptet e tilla si ligji dhe të drejtat e njeriut në Evropë vlejnë vetëm për të krishterin e bardhë evropian.

Ai tha se vendet në fjalë u përpoqën t’i shpjegonin këto sulme me lirinë e shprehjes dhe të drejtat e njeriut, por ata ndryshuan qëndrimin e tyre pas përpjekjes për djegien e Torës, pas së cilës u doli mashtrimi në pah.

Në esencë, sipas tij, muslimanët i besojnë edhe Torën (Tevratin) dhe nuk pranojnë fyerjet ndaj saj.

“Qeveritë e këtyre vendeve nuk lejuan djegien e Torës. Ja, kjo dyftyrësi, standardi i dyfishtë doli në pah në mënyrë të qartë për disa ditë, pa u zgjatur as një javë, se çështja nuk është e drejta e njeriut, liria e shprehjes”, tha Şentop, duke shtuar se bota islame duhet të reagojë më fuqishëm.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re