Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka raportuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë punën vjetore që drejton, ku ndër të tjera ka folur edhe për infrastrukturën akomoduese.

Çela tha se infrastruktura është e pamjaftueshme dhe për këtë  janë planifikuar disa masa, të cilat për realizimin e tyre kërkojnë angazhim ndërinstitucional.

Ndër të tjera, kryeprokurori bëri me dije se është arritur një marrëveshje me Bashkinë e Tiranës, për ndërtimin e një godine të re.

“Sa i përket kapaciteteve akomoduese, duke njohur problematikat lidhur me infrastrukturën e pamjaftueshme janë planifikuar disa masa që për realizimin e tyre kërkojnë angazhim ndërinstitucional. Këtu përmendim: në Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, kanë vijuar punimet në kuadër të investimit për shtimin e një kati ndërtese i cili do të krijojë hapësira të nevojshme për akomodimin e të gjithë stafit të kësaj prokurorie.

Për Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, i është kërkuar Bashkisë Fier marrja në administrim e një godine tjetër. Ka përfunduar detyra e projektimit nga Bashkia Tiranë në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Prokurorinë Tiranë, për ndërtimin e një godine të re akomodimi për të gjitha institucionet e sipërcituara. Pas vënies në dispozicion nga Bashkia Tiranë të një sheshi ndërtimi do të vijohet me hartimin e projektit.

Kemi kërkuar angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë për realizimin e marrëveshjes ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësisë për vënien në dispozicion të ambienteve akomoduese shtesë/ndërtesa ekzistuese të cilat më pas do t’i nënshtrohen rikonstruksionit dhe përshtatjes, për prokuroritë dhe gjykatat në rrethet Gjirokastër, Vlorë dhe Durrës, pasi ndërkohë që Prokuroria e Përgjithshme ka realizuar detyrimet e saj sipas marrëveshjes, nga ana e palëve të tjera nuk janë respektuar detyrimet e ndërmarra” tha Çela.

Ai po ashtu foli edhe për hartën e re gjyqësore, ku tha se për të unifikua  veprimtarinë proceduriale dhe mirërregulluara aktivitetin administrativ institucional është synuar ndërhyrje me akte nënligjore nga Prokurori i Përgjithshëm.

“Në kuadrin e hartës së re gjyqësore, Prokuroria e Përgjithshme është përfshirë dhe angazhuar në fazën e zbatimit të hartës së re gjyqësore në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Ministrinë e Drejtësisë. Për të unifikuar veprimtarinë proceduralee dhe mirërregulluar aktivitetin administrativ institucional u synua ndërhyrja me akte nënligjore të Prokurorit të Përgjithshëm.

Gjatë vitit 2023, grupi i punës i ngritur me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm, ka ndjekur mbarëvajtjen e procesit dhe ka propozuar marrjen e masave administrative të nevojshme në mënyrë që riorganizimi i prokurorive dhe mbarimi juridik/mbyllja e disave prej tyre, të bëhej në një kohë sa më të shpejtë e duke zgjidhur çdo problematikë të mundshme” shtoi ai.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re