Tirana e ka nisur vitin 2022 si Kryeqyteti Europian i Rinisë, me një super program, që do të zgjasë 365 ditë, i cili i jep jetë një kalendari projektesh me nisma e aktivitete të shumta që mbulojnë një gamë të gjerë tematikash e prioritetesh me në qendër rininë. Për këtë qëllim, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një takim me drejtues të institucioneve të arsimit të mesëm publik të kryeqytetit, ku mori pjesë edhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi, shpalli thirrjen për hapjen e aplikimeve për projekt propozime me fokus mbështetjen dhe fuqizimin e të rinjve.

 

Gjatë fjalës së tij, Veliaj tha se investimet në arsim sot, për një brez të rinjsh më të përgatitur nesër, janë të dukshme.

 

“Doja shumë të vinit në Kombinat për të parë se shkolla ‘Lasgush Poradeci’ nuk është ‘3D’, por realitet; në fakt, është shumë më e mirë se shkollat ku kam mësuar unë kur kam qenë student jashtë. Sigurisht, teknologjia avancon, çdo gjë e re është më e bukur se ajo që është bërë më përpara edhe në vende shumë më të zhvilluara, por kush e kishte menduar se do të kishim një shkollë të këtij standardi në Kombinat? Kemi mundësi që nuk i kishim më përpara. Çdo shkollë po bëhet me një sallë që mund të shërbejë si teatër, kinema, apo për aktivitete,” u shpreh Veliaj.

 

Ai tha se për vendin tonë këto janë vite të rëndësishme, si në aspektin lokal, ku Tirana ka marrë këtë vit titullin si Kryeqyteti Europian i Rinisë, ashtu edhe në planin kombëtar, ku Shqipëria është anëtare e KS të OKB për dy vite.

 

“Po ndodhin dy gjëra, në dy platforma të ndryshme: Një është platforma lokale dhe tjetra platforma kombëtare. Në platformën kombëtare, Shqipëria në vitin 2022-23 është anëtare e Këshillit të Sigurimit. Në një botë që po ndryshon shumë shpejt, sidomos pas Covidit, por edhe me të gjitha lëvizjet gjeopolitike, është fat i madh që kemi edhe një platformë lokale. Ne kemi një shans historik për Tiranën tonë. Në fakt është hera e parë që marrim titullin e Kryeqytetit Europian të Rinisë,” deklaroi Veliaj.

 

Kryebashkiaku ftoi të rinjtë të bëhen pjesë me projektet dhe idetë e tyre, teksa numëroi edhe ambientet e reja sportive, si dhe projektet e ardhshme.

 

“Ne kemi marrë përsipër të ndërtojmë më shumë infrastrukturë rinore. Sapo hapëm stadiumin e lojërave me dorë “Farie Hoti”, i ribërë nga e para, apo Parkun Olimpik. Pallatin e Sportit duam ta fillojmë shumë shpejt. Të njëjtë gjë duam të bëjmë me stadiumin “Selman Stermasi”. Duam të bëjmë një thirrje për të pasur një infrastrukturë ku mund të lozin ekipet më të mëdha të futbollit të shkollave, ose të universiteteve. Duam gjithashtu që të mbarojmë këtë vit Piramidën, e cila do jetë hapësira më e madhe për teknologjinë e informacionit,” theksoi Veliaj.

 

Ndërsa ministrja e Arsimit, Evis Kushi u shpreh se, “është meritë që Tirana do të jetë këtë vit Kryeqyteti Europian i Rinisë, por kjo është dhe një mundësi e jashtëzakonshme që sistemi ynë arsimor duhet ta shfrytëzojë maksimalisht”. “Së pari këtë vit si asnjëherë më parë ne kemi një buxhet shumë të lartë për aktiviteteve sportive në institucionet tona arsimore, për ekipe sportive, kampionate, gara. Asnjëherë tjetër nuk ka ndodhur të vendoset një buxhet kaq i lartë për aktivitete sportive. E dyta, programi për artet e zejet, qeveria gjithashtu ka vendosur një fond në dispozicion, programi deri në muajin mars do jetë i detajuar në të gjitha elementët e tij për të gjitha shkollat në të gjitha qytetet e vendit, po natyrisht Tirana zë një vend të rëndësishëm,” shtoi Kushi.

 

Ky makro program do të zbatohet përmes 8 Programeve të cilët qëndrojnë si kolona mbajtëse nën sloganin Activate Youth.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re