Kryetarët e degëve janë kundër dorëheqjes së kreut të PD Lulzim Basha i cili e bëri me dije vendimin disa minuta më parë përmes një deklarate publike për mediat nga selia blu pas mbledhjes që zhvilloi me Kryesinë, Grupin Parlamentar dhe Kolegjin e Kryetarëve. Gazetari i ABC Juxhin Mustafaraj raporton se të parët që e kanë kontestuar vendimin e Bashës janë kryetarët e degëve.

Basha ka dhënë dorëheqjen pas 9 vitesh në krye të Partisë Demokratike. Basha pranoi se Partia Demokratike është në krizë të thellë dhe për këtë arsye ka vendosur që të dorëhiqet nga detyra e tij si kryetar i PD-së, për t’i hapur rrugë bashkimit të demokratëve. Tashmë i dorëhequr nga funksioni i tij, Basha siguroi se do të japë kontributin e tij për të ndihmuar në ringritjen e PD-së. Ai tha se në PD duhet të zhvillohet një analizë e brendshme dhe më pas zgjedhje të reja.

Pas dorëheqjes së Bashës pritet që Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi të mbledhë Këshillin Kombëtar dhe të mandatojë një nga nënkryetarët e partisë që të drejtojë PD deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Kësisoj drejtimin e PD e merr ose Jorida Tabaku ose Enkelejd Alibeaj.

Kujtojmë se dy nënkryetarët e tjerë, Grida Duma dhe Agron Gejkmarkaj dhanë dorëheqjen nga posti pas humbjeve të 6 marsit në 6 bashkitë e vendit. Neni 46 pika 4 e statutit te PD thotë se në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re