Kryetari i Këshillit Fetar të Muslimanëve të Federatës së Rusisë, myftiu Albir Krganov, ka theksuar se deklaratat e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, që mbështesin karikaturat me objektiv profetin Muhammed “janë dëmtuese” dhe se “Kjo politikë, është një sfidë dhe provokim kundër Islamit”.

Krganov në një prononcim për mediat duke rikujtuar vrasjen me prerjen e kokës të mësuesit Samuel Paty dy javë më parë në Francë, deklaroi: “Ne si muslimanë e dënojmë vrasjen e çdo njeriu. Askush nuk ka të drejtë të vrasë”.

Më tej Krganov, shtoi se vrasja në fjalë është politizuar dhe se kjo është ajo të cilën kundërshtojnë.

Deklaratat anti-islame të Macronit janë bërë përpara ditës së lindjes së profetit Muhammed, tërhoqi vëmendjen Krganov, i cili tha se bota islame e ka pritur me një shqetësim të thellë këtë.

Krganov, tha se Franca ndjek një politikë “nxitëse” në këtë çështje. Ai u shprehu se “Kjo politikë, është një sfidë dhe provokim kundër Islamit. Deklarata të ngjashme me këtë lëndojnë njerëzit. Duhet të bëhet kujdes me ndjenjat kombëtare dhe fetare të njeriut”. 

“Mbështetja e karikaturave nga qeveria e Francës është dëmtuese”

“Mbështetja e karikaturave nga qeveria e Francës është dëmtuese. Kjo lëndon shtetasit muslimanë që zbatojnë ligjet në Francë. Përdorimi i vlerave fetare mund të shqetësonte në të njëjtën mënyrë edhe të krishterët, budistët, hebrenjtë. Nuk mund të bëhet shaka me vlerat fetare”, tha Krganov lidhur me mbështetjen e presidentit francez ndaj karikaturave me objektiv profetin Muhammed.

Duke u shprehur se politikanët janë të përkohshëm se edhe Macron do të largohet një ditë nga politika, Krganov theksoi: “Tashmë marrëdhëniet mes njerëzve ndikohen negativisht nga deklarata të tilla. Marrëdhëniet ndërfetare duhet të mbahen në kuadrin e moralit dhe ligjit. Nxitja e islamofobisë është e rrezikshme jo vetëm për Evropën, por për të gjithë botën”. 

“Vendet evropiane përpiqen të imponojnë pikëpamjen e tyre sekulare”

Krganov, tërhoqi vëmendjen se edhe përfaqësuesit e feve të tjera duhet të reagojnë ndaj deklaratave të Macronit dhe se nuk duhet të lejohet që politikanët të prishin marrëdhëniet ndërmjet popujve të cilat bazohen mbi bazat e miqësisë.

Pasi bëri të ditur se po zhvillohet një punë sistematike kundër bazave fetare, Krganov, vlerësoi se “Evropa dhe vendet perëndimore, po përpiqen që të imponojë ndaj të gjithëve pikëpamjen e tyre sekulare. Kjo është e pamundur. Sepse themelet e feve janë të forta dhe kanë bazë prej mijëra vitesh”.

Krganov, shpjegoi se gjatë shumë vizitave në Francë ka zhvilluar takime me përfaqësues të komunitetit dhe se ata janë shumë të arsimuar dhe të kulturuar.

AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re