Kryetari i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, u ka kërkuar njerëzve që të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos e përdorin transportin publik, pas njoftimit të qeverisë për lehtësime në masat e izolimit.
Ai i tha BBC-së, se të hënën, se ka pasur një rritje prej 10% në përdorimin e transportit të metrosë në Londër, krahasuar me të njëjtën kohë javën e kaluar.
“Mesazhi kryesor nga kryeministri mbrëmë dhe unë sot është që të mos përdorin transportin public, transporti publik është vetëm për punëtorët thelbësorë”, tha ai.
Kryetari i Mançesterit, Andy Burnham, u bëri jehonë fjalëve të tij.
Ai këshilloi banorët që të jenë “shumë të kujdesshëm”.
Më 10 maj, kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, tha se nuk do të ketë dalje të menjëhershme nga izolimi, por do të fillojë lehtësimi gradual i masave.
Në një konferencë për media në Londër, Johnson tha se disa prej masavedo të lehtësohen, duke filluar nga kjo javë.
Nga e hëna, britanikët që nuk mund të punojnë nga shtëpia, do të shkojnë në punë, tha ai.
Ndërsa, nga dita e mërkurë, njerëzit do të lejohen të stërviten në natyrë, për sa kohë që ata i përmbahen udhëzimeve për distancim fizik.
Johnson, në muajin prill u infektua me koronavirusin e ri, dhe qëndroi për disa ditë në kujdes intensiv.
“Vendi do të rimëkëmbet nga kjo sëmundje djallëzore”, tha Johnson.