Nëse qendra e djathtë politike fiton zgjedhjet e 4 marsit në Itali e nëse “Forza” Italia do të konfirmohet forcat kryesore e këtij koalicioni, kreu i Parlamentit Europian, Antonio Tajani, do të jetë emri i propozuar për të drejtuar qeverinë e ardhshme italiane.
“Antonio Tajani është kandidatura ideale, një personalitet mjaft i vlerësuar në Europë, si edhe nga e majta italiane. Emri i tij si kryeministër i ardhshëm mund të dakordësojë të gjitha forcat politike që nuk kanë arsye për të mos e pranuar”, tha ish-kryeministri Silvio Berlusconi, aktualisht lider i “Forza Italia”-s.
Prej vitit 1994, Antonio Tajani, me profesionin gazetar është eurodeputet i “Forza Italia-s”. Ka qenë komisioner europian për transportin, komisioner europian për industrinë dhe sipërmarrjen, nënkryetari i PE dhe prej janarit të 2017 kryetar i Parlamentit Europian.
Në takimin e sapo zhvilluar dy palësh në Berlin, kryeministri aktual i Italisë Paolo Gentiloni i siguroi kancelares Merkel se pas zgjedhjeve të 4 marsit në Itali nuk ka asnjë rrezik që të krijohet një qeveri populiste e antieuropiste, sidomos nëse këto zgjedhje i fiton Partia Demokratike.
Propozimi i Silvio Berlusconit është mjaft pranë mendimit të kryeministrit Gentiloni.
Antonio Tajani është kryetari i Europarlamentit dhe askush më mirë se ai mund të jetë një garanci për Brukselin për një qeveri europiste italiane.
Së fundmi institucionet e larta europiane dhe qeveritë e vendeve të Bashkimit Europian kanë shprehur preokupimin e tyre në rastin e një qeverie të ardhshme italiane ku mund të jetë pjesë euroskepticisti i Lidhjes së Veriut, Matteo Salvini.
Nga ana e tij Silvio Berlusconi ka propozuar se në rast fitoreje Matteo Salvini është një kandidat i mirë për të qenë Ministër i Brendshëm i qeverisë italiane.
Ndërsa vetë Matteo Slavini është shprehur se nëse fiton qendra e djathtë e nëse forca e tij politike merr më shumë vota se partia e Berlusconit, kryeministër i ardhshëm i Italisë do të jetë vetë ai, pra lideri i “Lidhjes së Veriut”.
Por nëse “Forza Italia” merr më shumë vota atëherë i takon Silvio Berlusconi-t të propozojë kryeministrin e ardhshëm të vendit.



