Partia Demokratike do të zgjedhë me 29 korrik kreun e saj të ri. Kriteret që kandidatët duhet të kenë janë bërë publike, ndërsa ndahen në disa pika duke nisur që nga angazhimi në këtë forcë politike dhe deri tek integriteti individual i çdokujt që aspiron të drejtojë PD.

 

Kandidatët duhet të kenë dhënë kontribut të vazhdueshëm në PD për të paktën tri vite dhe nuk duhet të kenë dëmtuar interesat e kësaj force politike për po të njëjtën periudhë kohore.

 

Kriteret e plota:

Aftësitë e angazhimit politik

 

Të jetë anëtar i Partisë Demokratike prej të paktën 3 vitesh;

 

Të ketë kontribuuar aktivisht në fushatat elektorale të Partisë Demokratike në 3 vitet e fundit;

 

Të mos ketë dëmtuar interesat elektorale të Partisë Demokratike në 3 vitet e fundit;

 

Integriteti moral

 

Të ketë mbrojtur dhe promovuar në vazhdimësi interesat, vlerat themelore dhe programin e Partisë Demokratike;

 

Të mos ketë masa disiplinore në fuqi sipas parashikimeve të Statutit të Partisë Demokratike;

 

Të ketë figurë të pastër gjyqësore, duke plotësuar kushtet e dekriminalizimit (sipas kërkesave të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”);

 

Të ketë figurë të pastër ideologjike, duke plotësuar kushtet e dekomunistizimit (të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, funksionar i Partisë së Punës të Shqipërisë, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i Degëve të Punëve të Brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaçme);

 

Të ketë reputacion të lartë në radhët e anëtarësisë së Partisë Demokratike, tek partnerët ndërkombëtarë, si dhe në opinionin publik:

 

Të jetë i përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe oligarkisë, që kanë krijuar plagë të rënda shoqërore;

 

Aftësitë organizative

 

Të ketë kontribut të spikatur profesional dhe politik;

 

Të ketë demonstruar në të shkuarën aftësi të shquara organizative ose të ketë program politik për riorganizimin e Partisë në përputhje me vlerat themelore statutore; të qartë

 

Të ketë njohje të mirë të strukturës organizative të Partisë Demokratike.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re