Të paktën 137 organizata të shoqërisë civile, përfshirë Human Rights Watch, i bënë thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) që të zbatojë embargo globale të armëve ndaj ushtrisë së Mianmarit e cila ka kryer grusht shteti.

Në letrën e hapur që 137 organizata joqeveritare nga 31 vende i dërguan KS-OKB-së, kërkohet që të kalohet në veprim kundër ushtrisë e cila ka kryer grusht shteti në Mianmar.

“Kina, Rusia, India, Izraeli, Koreja e Veriut, Filipinet dhe Ukraina që lejojnë transferimin e armëve në Mianmar, duhet të përfundojnë menjëherë furnizimin me armë dhe pajisje ndaj këtij vendi”, thuhet në deklaratën në të cilën KS-OKB-së i bëhet thirrje për vendosjen e sanksioneve ndaj ushtrisë së Mianmarit.

Ushtria e Mianmarit bëri të pavlefshme zgjedhjet e nëntorit 2020 dhe që nga grushti i shtetit ka arrestuar civilët, thuhet në deklaratën në të cilën nënvizohet se KS-OKB mund të zbatojë të paktën sanksione duke marrë në konsideratë edhe “krimet e luftës” që kryhen prej vitesh kundër muslimanëve të Arakanit.

Gjithashtu në deklaratë thuhet se KS-OKB duhet të zbatojë sanksione të tilla si ndalesë globale e udhëtimit dhe ngrirjen e aseteve të udhëheqësve të grushtit të shtetit.

Grusht shteti në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Teksa ushtria shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit, në vend më pas u arrestuan shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë OKB-në, Bashkimin Evropian (BE), shumë vende si dhe Turqia, reaguan ashpër ndaj puçit ushtarak. SHBA-ja, Kanadaja dhe Britania e Madhe zbatuan sanksione ndaj zyrtarëve që luajtën rol në grushtin e shtetit.

Kundër grusht shtetit në vend populli filloi protesta më 6 shkurt me kërkesën për kthimin në demokraci ndërkohë që policia në disa raste ka ndërhyrë ndaj demonstruesve, kurse ushtria shpalli shtetrrethim në disa qytete.

Deri më tani si pasojë e ndërhyrjes së forcave të sigurisë në protestat kundër grushtit të shtetit kanë humbur jetën 3 persona.

Përderisa vazhdon gjykimi në gjykatat ushtarake ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë të arrestuar, raportohet se Suu Kyi do të mbetet nën arrest deri në seancën gjyqësore që është caktuar më 1 mars.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re