Trajneri i Barcelonës, Kavi Hernandez, është personi që nuk ka reshtur së foluri në veshët e presidentit Joan Laporta për ta shtyrë atë të bëjë një sakrificë financiare për të kthyer Mesin në “Camp Nou”.

KSAVI

Pavarësisht se vitet kalojnë, Ksavi është i bindur se Lionel Mesi ka ende për t’i dhënë futbollit dhe se argjentinasi është shumë i vlefshëm për skemat e tij. Këtë gjë trajneri i Barcelonës e ka bërë me dije gjatë një interviste të dhënë për gazetën “Sport”.

E para gjë që Ksavi ka dashur të saktësojë është se Barcelona e këtij sezoni nuk do të ndryshojë as me ardhjen e mundshme të Lionel Mesit. “Të jeni të qartë, se Barcelona do të jetë po e njëjta, do të luajmë po me të njëjtën ide futbolli, po me të njëjtin model që na dha sukses në këtë sezon”.

Thënë këtë, Ksavi ka deklaruar se mbërritja e Leos do të ishte një bonus për ekipin.

“Ajo që mund të them është se e kam analizuar lojën e Mesit. Ajo ka evoluar. Kjo do të thotë se Mesi mund të luajë në pozicione të ndryshme në fushë: ai mund të luajë si një nëntë fals, mund të luajë si sulmues krahu, mund të luajë më i zhvendosur në qendër, përfshi këtu dhe rolin e pasuesit të fundit”, ka thënë Ksavi.

Dhe pikërisht trajneri i Barcelonës mendon se “Leo është transformuar thuajse në ‘mesfushor’ dhe ai e ka atë aftësi. Është e vërtetë që ndoshta nuk ka shpërthimin e dikurshëm, por ne pamë se Mesi ishte në gjendje të bënte një Botëror të jashtëzakonshëm. Ndaj unë mendoj se ai ka ende vite përpara, për të luajtur në një nivel të lartë. Nuk ka dyshim se do të na ndihmonte”.

Dyshimet e skeptikëve në lidhje me kthimin e Mesit te Barcelona lidhen jo vetëm me çështjet financiare të klubit, por dhe me çështjet sportive të vetë argjentinasit. Ata vënë në pikëpyetje aftësitë mbrojtëse të Mesit dhe mungesën e stabilitetit përgjatë sezonit. Por edhe për këtë Ksavi e ka përgjigjen të qartë.

“Kur flasim për Barcelonën flasim për ekipin dhe jo për individin. Pastaj po ju marr një shembull: nuk besoj se duhet të presim më shumë aftësi mbrojtëse të Dembelesë se Kundesë…”.

PANORAMASPORT.AL

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re