Universiteti i Leipzig-ut në një studim të fundit ka paralajmëruar se ksenofobia dhe armiqësia kundër muslimanëve janë në rritje në Gjermaninë lindore.

Sipas sondazhit përfaqësues të publikuar nga Universiteti i Leipzig-ut, këtë vit rreth 46,6 për qind e qytetarëve në Gjermaninë lindore kërkuan ndalimin e emigrantëve muslimanë, duke shënuar rritje krahasuar me vitin 2020 kur rreth 40,2 për qind të anketuarve kërkuan këtë.

Gjithashtu 42,7 për qind e të anketuarve thanë se ndjehen si të huaj në vendin e tyre për shkak të numrit të madh të muslimanëve.

Studiuesit theksuan se qëndrimet anti-muslimane janë më të larta në shtetet federale të Gjermanisë lindore, ku jetojnë dukshëm më pak muslimanë dhe ku njerëzit kanë më pak kontakte me muslimanët.

Në Gjermaninë perëndimore, 23,6 për qind thanë se përkrahin ndalimin e imigrimit nga vendet muslimane, ndërsa 36,6 për qind thanë se ndihen si të huaj në vendin e tyre për shkak të numrit të lartë të emigrantëve.

Studimi i vitit 2022 i autoritarizmit të qytetit Leipzig ka zbuluar se ksenofobia është në rritje në shtetet federale të Gjermanisë lindore.

Rreth 33,1 për qind e të anketuarve u pajtuan me disa deklarata ksenofobike, ku shumica e tyre thanë se “Gjermania është e mbytur në mënyrë të rrezikshme nga të huajt” dhe se ata duhet të dërgohen në vendet e tyre nëse ka pak vende të punës në Gjermani.

Gjermania me mbi 84 milionë banorë ka popullsinë e dytë më të madhe muslimane në Evropën Perëndimore pas Francës. Sipas shifrave zyrtare, ajo është shtëpi e rreth 4.7 milionë muslimanëve.

Viteve të fundit, vendi ka qenë dëshmitar i rritjes së racizmit dhe islamofobisë, të ushqyer nga propaganda e grupeve dhe partive të ekstremit të djathtë, të cilat kanë shfrytëzuar krizën e refugjatëve në përpjekje për të ngjallur frikë nga emigrantët.

Gjatë vitit 2021, autoritetet gjermane regjistruan të paktën 662 krime islamofobike të urrejtjes. Mbi 46 xhami u sulmuan midis janarit dhe dhjetorit të vitit të kaluar ndërsa të paktën 17 persona pësuan lëndime për shkak të dhunës anti-muslimane.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re