Kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, duket se e presin ditë të vështira. Para pak ditësh qeveria që Kurti drejton u rrëzua nga një mocion mosbesimi i nxitur dhe provokuar nga partia aleate Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kjo e fundit dhe lideri i saj, Isa Mustafa pretendon se Kurti i preu në besë, kështu që panë të arsyeshme rrëzimin e qeverisë. Por pak minuat më parë teksa ishte duke folur në një prej mediave vendase, zoti Mustafa ka kërcënuar hapur kryeministrin Kurti, ndërsa ka paralajmëruar se një nga opsionet që po shikon është bashkëqeverisja me partinë e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Opsioni i dëshirueshëm është formimi i një qeverie gjithëpërfshirëse, sepse një qeveri e tillë do të ishte me e aftë për tejkalimin e gjendjes në të cilën ndodhet vendi. Ndërkohë, nëse dështon qeveria gjithëpërfshirëse, atëherë do ta bëjmë një koalicion me AAK-në dhe Nismën e Fatmir Limajt”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, Mustafa ka përjashtuar PDK-në e Vetëvendosjen për bashkëqeverisje, duke shtuar se me ta do të bashkëpunojnë vetëm për bisedimet me Serbinë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re