Ka marrë një kthesë të papritur ecuria e dosjes “Babale” drejt zbardhjes të së vërtetës në lidhje me një bisedë të pretenduar nga opozita mes Albert Veliut dhe Agron Xhafajt, pas një audio-përgjimi të publikuar muaj më parë.

Shtetasi Fredi Alizoti, njeriu që nga hetimet e Prokurorisë ka rezultuar si njeriu që ka aktruar zërin e Xhafajt, është shfaqur në një video ku tregon se si është kontaktuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu, e i joshur gjithashtu dhe nga Taulant Balla, përkthyer kjo nga lëshuesi i videos, Ervin Salianji, si një tjetër aktrim me diktat qeveritar, sipas deputetit demokrat, për të mbuluar të vërtetën e zërit të Xhafajt.

Kjo ndodhi në Opinion, kur në një moment debati të nxehtë në studio, Salianji u çua nga vendi dhe nxorri nga xhepi një USB me videon brenda, shfaqur pak minuta më vonë. Sipas deputetit demokrat, Fredi Alizoti vërtet ka aktruar por sipas një skenari qeveritar.

Ndërkohë, në një tjetër studio, në Dritare-n e Rudina Xhungës, ish-një ndër krerët e Policisë së Shtetit në kohën e qeverisjes së PD-së, Erzen Breçani, deklaroi se nisur nga përvoja e tij e gjatë profesionale, me tipa të tillë nuk duhet të merret askush, e aq më pak partitë politike.      

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re