Ka luajtur komedinë, dramën e tragjedinë në teatër dhe tani po i përjeton të gjitha nga pak në shtëpinë e tij, ku protagonist është vetë ai dhe Covid-19 i padukshëm diku jashtë.

Ervin Doko është aktori i talentuar i teatrit “Aleksandër Moisiu”,
Durrës, i cili, pas mbi 20 roleve, ka ndërtuar karantinën unike të humorit këto
ditë izolimi nga koronavirusi. Ai, sendet shtëpiake dhe një dorë misterioze që
i bën fotot e videot, të shoqëruara me batuta e lojëra fjalësh bazuar në
shprehjen e momentit se si të mos kemi frikë, por të bëjmë kujdes.

Pasi e kemi parë së fundmi të luajë në serialin “Familja Kuqezi”, Ervini rrëfen për “Panorama Plus” reality show-n nga shtëpia, të cilën e jep përditë për ndjekësit në “Instagram” e “Facebook”, ku secili mund të gjejë veten.

Duket se e ke kthyer karantinën në një “reality show” për ndjekësit e tu në “Instagram”. Çdo ditë poston momente nga izolimi. Si të lindi kjo ide për të qenë argëtues në këto ditë të vështira dhe kush t’i bën fotot apo videot?

Ervin Doko: “Ideja lindi pasi ngelëm me barrë nga koronavirusi. Frikë Jo! U prekëm Po. Bllokimi i mundësive të tjera na lidhi dhe më shumë me trurin. Fikë Jo, mendime Po. Për sa i përket kush m’i bën videot dhe fotot, këtë nuk e them pa u zbuluar antivirusi. Frikë jo, shkencë po. Një gjë mund ta them me siguri… që çdo gjë që shkruaj, e shkruaj vetë, e postoj vetë, qesh vetë. Frikë Jo, kënaqem Po. Kur s’më pëlqen dora e parë, i jap dhe një dorë të dytë që është me rezultative. Frikë Jo, një dorë e mirë Po!”

Statuset e tua, bazuar nën moton e Edi Ramës, “Frikë jo, kujdes po”, janë përditë të ndryshme. Realisht ti po bën humor me frikën, apo frika që të ka kapluar e po bën humor me ty?

Ervin Doko: Unë nuk bëj humor me frikën jo! Kujdes po. Por më pëlqen kjo shprehje se më duket absurde. Shumë minimaliste, por merr shumë kuptime e dimensione. Se mund të thuash për shembull që shumë njerëz ndahen në kategori. Ata që zbatojnë këtë shprehje, “Frikë Jo, kujdes Po ose Frikë Po. Kujdes Jo ose Frikë Jo. Kujdes Jo ose Frikë Po, Kujdes Po… Dhe me këtë gjë mund të vazhdosh përgjithmonë, derisa të çmendesh.

Pra, një shprehje minimaliste, por që duke luajtur me fjalët mund ta shtysh mirë ditën, apo jo?

Gjenial Edi! Po. Sa për frikën, frikë për veten jo. Frikë për prindërit po. Ulërimë të brendshme për çdo jetë që humb. Por duhet të ngushëllohem. Sepse diku lind një jetë, diku vdes një. Kjo është natyra, vetë ekzistenca. Vdekje jo. Lindje po.

Kryeministri e quan këtë situatë “luftë”. Duke qenë se sapo ke rilexuar veprën “Lufta dhe paqja” të Tolstoit, çfarë të përbashkëta ndesh me një situatë lufte?

Ervin Doko: Po, kjo është një luftë. Është një luftë me kushte më të mira… me krevat, me televizor, internet, telefon etj…pa kallashnikov. Një “luftë sapuni”, ku secili duhet të mbrojë bythën e vet, që të shpëtojë shumë bythë të tjera. Ndryshe nga lufta me armë, që ka shumë plumba, në këtë luftë ka shumë shkumë. Frikë jo. Luftë po!

Ke tentuar të rebelohesh, pra, të dalësh në ditë izolimi dhe të përballesh me Policinë?

Ervin Doko: Aspak. Të thyej qoftë edhe një rregull dhe as të rebelohem, përkundrazi të jem një ushtar i mirë me sapunin e tij. Frikë jo. Disiplinë po.

Po ditar karantine ke mbajtur dhe si nis dita jote e si mbyllet në mesnatë?

Ervin Doko: S’kam nevojë për ditar. Sikur çdokush të bënte ditar, duheshin 7.7 miliardë lexues të tjerë për t’ua lexuar. “Facebook” dhe “Instagram” është një vend i mirë për bejte.(qesh) Zgjohem në mëngjes me afshin tënd… Sorry, u ngatërrova! Zgjohem në mëngjes dhe kap telefonin, marr prindërit në telefon dhe u bërtassss: Jeeeeniiii Miiirrëëë…. Kuuujdessss, dëëëgjuuaatt?! Frikëëëë joo. Ushqim Pooo. Pastaj dita vazhdon me një mendim dhe frymëmarrje të thellë… një urim që sot të kemi më pak dhimbje se një ditë e kaluar. S’po e zgjas këtu. S’dua. Frikë jo. Keqardhje po! Pastaj luaj me telekomandën nën jorgan derisa më zë gjumi. Fle keq. Frikë jo. Lexoj po.

Mendon se ka vend për të përdorur fjalën “flirt” këto ditë e net të gjata? Në ç’mënyra flirtohet në kohë lufte?

Ervin Doko: Flirt patjetër. Është shumë e rëndësishme, madje. (Personazhi qesh dhe mbyll pak sytë, ai vazhdon). Mënyrat më të mira në këtë situatë janë pa dyshim rrjetet sociale. “Facebook” të ofron ato mbi 40 vjeçe dhe ekonomike. Ndërsa “Instagram”-i ato nën 30 dhe pak të shtrenjta. Unë jam 37. Kështu që rri te të dyja rrjetet sociale. Frikë Jo. Gjuaj po.

Si aktor i “Familja Kuqezi”, me rolin tënd ishe më pranë vetes apo një karakter fare ndryshe nga ty?

Ervin Doko: Unë kam luajtur te “Familja Kuqezi” në disa puntata. Dhe jam shumë i kënaqur dhe mirënjohës për ata që më kanë zgjedhur në këtë serial shumë të mirë si nga shkrimtarët (skenaristët), regjisori dhe pa dyshim aktorët. Por unë jam aktor i Teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Kam 12 vjet që punoj atje. Dhe jam shumë, por shumë krenar. Kam mbi 20 role në teatër. Janë komedi, tragjedi, dramë, farse. Teatri është jeta ime e dytë, kështu që duhen muaj të tërë karantinimi të flas për teatrin dhe rolet. Frikë jo. Teatër po.

Me kë aktore seksi do të doje ta kaloje karantinimin?

Ervin Doko: Pyetja duhet të korrigjohet. Me cilën aktore do të kaloje një natë karantinimi… Jo, me asnjë! I kam kolege e duhet të jem i edukuar. (qesh) Frikë Jo. Prezantuese Po.

Nëse do bëje një shfaqje me titullin “Karantina”, cilët kolegë do të zgjidhje për kast dhe si do të ishte finalja e shfaqjes?

Ervin Doko: S’e kam këtë problem se e zgjedh regjisori. Por, padyshim, të parët janë kolegët e mi në Durrës. Do zgjidhja finalet që japin mesazhe të qarta e me vlerë për njerëzimin. Për këtë specie që është plot ngjyra. Njeriun. Frikë Jo. Paqe Po.

Për paratë sa mendon këto kohë, janë ato stresi më i madh që ke?

Ervin Doko: Po mundohem ta shtyj këtë hall…dhe këtë pyetje, të lëmë diçka për muajin tjetër. Frikë Jo. Rroga Po. /Panoramaplus.al nga Klotida Harka

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re