Ministri i Brendshëm Lleshaj, në tryezën e organizuar nga Qeveria dhe Federata Shqiptare e Futbollit, tha mes të tjerash se Policia e Shtetit është e detyruar më ligj të ofrojë dhe garantojë siguri për qytetarët e Republikës kudo ku ata janë, edhe kur ndodhen në skutat e apartamenteve të tyre dhe devijojnë nga normaliteti, edhe kur janë në stadium, edhe kur janë në rrugë, edhe kur janë në protestë, pra ka një gamë shumë të gjerë përgjegjësish për të kryer.

 

 

Por këtu vlen ta theksojmë që policia është një strukturë e dhënë; që ka disa parametra të dhënë, ka një madhësi të dhënë, ka kapacitete të caktuara. Dhe kemi dy gjëra që duhet t’i mbajmë në konsideratë: kapacitetet edhe kompetencat!Dhe kur diskutojmë për futbollin, këto të dyja bëhen faktorë për t’u konsideruar, madje edhe shqetësues, për arsye se, e para, kemi kompetencat që na mungojnë për t’u futur brenda stadiumeve. Sot bëjmë një diskutim të paktën dy vjet me vonesë se kur është hartuar ligji për sportin, këto gjëra nuk janë marrë në konsideratë dhe duheshin marrë në atë kohë. Por gjithsesi ne tani jemi për t’u marrë me faktin.Pra kompetenca është një çështje e madhe, e cila duhet zgjidhur me ndryshime ligjore, të cilat duhet t’i bëjmë të mirëmenduara në mënyrë që pas dy vjetësh të tjera të mos futemi në një diskutim tjetër ndoshta po për të njëjtën gjë.

 

 

Megjithatë Lleshaj shtoi se Policia ka kapacitete të caktuara të cilat janë parashikuar për të ofruar siguri publike, por jo për të shkuar mbas çdo rasti individual sepse është e vështirë.

 

Ai pohoi se Shqipëria ka policinë më të vogël në rajon, krahasuar me numrin e popullsisë, pra policia jonë për frymë është pothuajse nën mesataren europiane, duke nënkuptuar këtu se kthimi I policisë në stadiume është një cështje me e komplikuar sesa duket në pamje të parë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re