Kryetari i Shoqatës së Hoteleri Turizmit, Zak Topuzi tha në një lidhje live për emisionin “Sheshi i Dollarit” me Genta Dobrën se është e nevojshme që të bëhet një analizë e thelluar nga ana e qeverisë për të kuptuar faktorët që kanë çuar në zhvlerësimin e euros, në mënyrë që të merren masat e duhura.

Ai komentoi edhe deklaratën e guvernatorit Gent Sejko, i cili tha se për të mbrojtur qytetarët nga luhatja e euros, synohet që të nxitet përdorimi i monedhës lek. Sipas Topuzit, nuk është e lehtë që të kthehet sistemi i pagesës në lekë dhe se këtë vit është e pamundur pasi paketat turistike janë shitur.

“Kemi kërkuar një analizë profrsionale për të gjetur shkaqet e rënies. Mendojmë se pjesa më e madhe vjen nga paratë informale, nga moskontrolli i pikave të shkëmbimit valutor ku nuk kërkohet asnjë lloj dokumenti dhe të gjithë këto krijojnë një informalitet në treg. E para, është një analizë profesionale që do të nxjerrë konkluzionet reale. Nuk bëhet fjalë për dëmin që vjen për 6 muaj por për atë që vjen në përgjithësi për ekonominë, e cila do të humbasë interesin për të investuar në këto tregje dhe qeveria gradualisht do të mbetet me vende vakante pune, do të bjerë prodhimi. Janë efekte boomerang.“, tha Topuzi.

Fjordi Subashi, agjent në tregun e pasurive të paluajtshme, theksoi se kërkesa për pasuritë e paluajtshme është e lartë por fakti që operohet me euro, kjo përkthehet në humbje për agjensitë imobiliare.

“Është situatë e pazakontë. Rënia e euros ka aritur kulmet dhe për ne kryesisht çdo verë kemi pasur rënie të euros por jo në këtë nivel. Kjo ka ndikuar edhe në pjesën e turizmit dhe pjesën e investimit të pronave. Aktualisht ka kërkesë të lartë për pjesën e investimit në prona dhe ne operojmë me euro. Kjo përkthehet në humbje në raport me lekun.”, shtoi Subashi.

Duke bërë një krahasim me një vit më parë, Subashi tha se kërkesa për pasuritë e paluajtshme nuk ka ndikuar përsa i përket bregdetit edhe për faktin se çmimet janë konkurruese nga vendet e rajonit.

“Ka pasur ndikime shumë për Tiranën. Sa i përket bregdetit nuk është se është ndikuar shumë. vija bregdetare po marketohet shumë dhe çmimet janë konkuruese me rajonin. për tiranën ka ndikuar tek shitja dhe jemi të kujdesshëm për orientimin e klientëve dhe analizojmë nëse ka një urgjencë për të shitur dhe për të analizuar në një moment të dytë.“, shtoi eksperti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re