Pedagogu Rezart Prifti i ftuar në Fax News, tha se askush nuk ka të drejtë që ti kërkojë Ramës program qeverisës, sa kohë që e votuan për herë të tretë, edhe pse gjatë fushatës nuk parashtroi asnjë të tillë. Prifti tha se i ashtuquajturi program i qeverisë Rama 3 nuk është i bazuar në logjikë.

“Ishin gjëra qesharake, zoti Rama është shumë komod, sa i takon programit asnjë nga ne ska të drejtë ti kërkoj zotit Rama program, pasi në fushatë nuk prezantoi fushatë, tha që do të vazhdoj të bëj ato gjëra që kam bërë. Nëse atë do ta quajmë program, ato janë pestulate, nuk ka sesi do të realizohen, nuk thuhet askund si do të rritet ekonomia me 4%. Flet për rritje pagash dhe nuk na thotë si mund të bëhet realitet kjo, është njësoj si plani i opozitës para zgjedhjeve”, tha Prifti.

Pedagogu i Ekonomisë tha më tej se në këtë mandat priste nga Rama një lloj revolucioni gjë që nuk ndodhi, ndërsa klasifikoi si prioritet që duhet të ndiqej me doemos, zëvendësimin e burimeve njerëzore që janë larguar në këto vite jashtë vendit.

“Unë mendova se zoti Rama në këtë mandat të tretë do të bënte revolucion, për të mbetur në histori. Nëse kjo qeveri do të ishte e lidhur me realitetin do të bënte disa gjera që janë imediate, e para, çfarë do të bëjë qeveria për burimet njerëzore, ore po ikin të gjithë shqiptarët, ata që janë të kualifikuar, si do bëjmë biznes, si do ta bëjmë këtë vend të zëvendësueshëm.

Si do të zëvendësosh njerëzit që janë larguar, e dyta është korrupsioni, si do tia bëjmë kësaj pune, ka humbur çdolloj standardi, nëse dikur e rregulloje me 1 mijë euro, tani nuk e di as me sa e rregullon. E treta është reforma në drejtësi, dhe e treta ke një sistem edukimi që të ka dështuar nga të gjitha anët, akademikët janë zëvendësuar me diletantë, janë përgjysmuar klasat se nuk ka më fëmijë.

Një qeveri me lidhje me realitetin do të vlerësonte një nga këto çështje që unë shtrova më sipër“, u shpreh pedagogu i ekonomisë.

Ndërkohë që Prifti komentoi dhe ministrat e rinj, një pjesë e të cilëve sipas tij do të zëvendësohen shumë shpejt.

“Ky është problemi im, gjysma e ministrave janë ata të vjetrit, nuk e kuptoj gjenialitetin e Ben Ahmetajt, 3 mandatë sikur ishte Fan Noli. Unë jam partizan i të rinjve, por nuk mund të vendosen pa kriter, pa asnjë lloj eksperience, kur janë të rinj kërkojnë qiqra në hell. Janë diletantë në aspektin profesional.

Nuk mund të bësh politika për fëmijët kur ti je fëmijë vetë, nuk mund të bësh politika për bujqësinë kur ti nuk e njeh vetë Bujqësinë. Disa prej ministrave do të zëvendësohen me të tjerë, disa emra nuk do të jenë shumë jetëgjatë”, tha më tej Prifti në Fax News.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re