Në zonën e Farkës sot u konfiskua pallati i parë që ishte ndërtuar pa leje, ndërkohë që në rrjet kanë “shpërthyer” kritikat, se ku ishte shteti në momentin kur u ndërtuan.

 

Rama në jë postim në Facebook, I është përgjigjur kësaj pyetje, duke thënë se pyetja e saktë është se ku kanë qenë inspektorët dhe punonjësit e policisë, ndërsa këtë dilemë sipas Ramës do e mësojmë kur të përfundojnë hetimet.

 

Kryeministri më tej renditi edhe 5 argumente, që sipas tij duhet të mbahen mend.

 

KU ISHTE SHTETI KUR U NDËRTUA?

 

E kam ndeshur këtë pyetje në komente mbi operacionin më të fundit të qeverisë për konfiskimin e ndërtimeve pa leje për qëllim fitimi. Pyetja në fakt është ku ishin inspektorët apo punonjësit e policisë së zonës ku janë bërë të tilla abuzime! Këtë do ta mësojmë nga hetimi që ka nisur paralelisht, ndërkohë që pa dashur të humbas kohën e askujt të cilit nuk i mbushet mendja, po as timen për t’iu mbushur mendjen atyre që s’duan, them se janë disa gjëra që duhen mbajtur parasysh:

 

E para, sot këto lloj ndërtimesh janë ku e ku më pak se dje dhe janë ku e ku më pak, pikërisht sepse ka ku e ku më shumë shtet, ligj, rregull se deri dje.

 

E dyta, kjo nuk është një ndeshje futbolli dhe as një betejë e vetme, po një luftë e gjatë, ku avantazhi i shtetit e i ligjit në terren nuk merret kollaj, po me mund e durim të madh.

 

E treta, ky operacion bazohet në ndryshimet e reja ligjore, që dolën si mësim në rrugën plot kthesa e befasira të kësaj lufte dhe në një vullnet të papërkulur për ta çuar këtë luftë të gjatë deri në fund.

 

E katërta, ka shumë të ngjarë që me mbylljen përfundimtare të rrugës së legalizimit dhe konfiskimet e këtyre hapësirave abuzive për interes publik, të vuloset edhe fundi i kësaj praktike të neveritshme.

 

E pesta dhe e fundit, e cila është edhe personale dhe e kam me ata që më dinë si veten e tyre apo më akuzojnë për gjëra që mesa duket do t’i bënin vetë në vendin tim: Po të kishte lindur ndërtuesi që më blinte mua me kate e me metra pallatesh, ky operacion nuk do ndodhte kurrë me nxitjen dhe nën udhëheqjen time. Kaq.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re