Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, njëkohësisht edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës Tedi Blushi ka depozituar në bashki kërkesën për llogaridhënie për çështjen e takësë mbi infrastrukturën arsimore.

Në fjalën e tij për mediast, Blushi thotë se kërkon të dijë se përse është propozuar shtyrja e afatit të taksës në fjalë dhe se “sa përqind e taksave së mbledhur mbi infrastrukturën arsimore është përdorur për investime në ndërtimin e shkollave të reja.”

Si anëtar i Këshillit bashkiak, Blushi thotë se ka nisur 16 pyetje, ndër të cilat renditet edhe ajo se “sa shkolla të reja janë ndërtuar përmes skemës së “Partneritetit Publik Privat?”

Kërkesa e Tedi Blushit me 16 pyetjet për Bashkinë Tiranë:

Vendimin Nr.59 të Këshillit Bashkiak Tiranë, datë 30.12.2015, si dhe vënien në dispozicion të vendimit Nr.139 të Këshillit Bashkiak të Tiranës, datë 23.12.2022, në lidhje me “Taksën mbi infrastrukturën arsimore”, së bashku me relacionet shoqëruese.
A është në përputhje me Kushtetutën vendimi i Këshillit Bashkiak të Tiranës, datë 23.12.2022 dhe mbështetur mbi cilat argumenta është miratuar?
A ështē konsultuar rivendosja e kësaj takse me grupet e interesit, qytetarë, biznese, shoqëri civile?
Pse propozuat shtyrjen e afatit të kësaj takse dhe a parashikohet të zgjasë edhe më shumë se tre vitet e ardhshme?
Sa ka qenë të ardhurat vit pas viti, nga viti 2016 deri në gjysmën e parë të vitit 2023, nga taksa mbi infrastrukturën arsimore, të ndarë sipas zërave, për kategoritë “familjarë” dhe “biznese”?
Sa përqind e taksave së mbledhur mbi infrastrukturën arsimore është përdorur për investime në ndërtimin e shkollave të reja?
A është përdorur fondi i mbledhur nga taksa mbi infrastrukturën arsimore për investime apo blerje të tjera, veç ndërtimit dhe rikonstruksionit të shkollave?
Kërkoj vënien në dispozicion të planit 3-vjeçar të investimeve në programin e shërbimeve të arsimit bazë dhe parashkollor.
A është realizuar objektivi i shprehur publikisht nga Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj për ndërtimin e 17 shkollave të reja përmes skemës së “Partneritetit Publik Privat”?
Nëse nuk është realizuar ky objektiv, cilat kanë qenë arsyet?
Sa shkolla të reja janë ndërtuar përmes skemës së “Partneritetit Publik Privat”?
A janë audituar ndonjëherë këto kontrata dhe nga kush autoritet shtetëror? Nëse po, a janë konstatuar problematika?
Vënien në dispozicion të të gjithë kontratave të realizuara sipas skemës së “Partneritetit Publik Privat” për ndërtimin e shkollave dhe kopshteve të reja.
A parashikohet ndërtimi i shkollave të reja deri në vitin 2025 nëpërmjet taksës së mbledhur mbi infrastrukturën arsimore apo vetëm rikonstruktim i shkollave ekzistuese?
Cilat janë shkollat ekzistuese që kanë nevojë për rikonstruktim dhe sa është vlera e parashikuar e rikonstruktimit?
A janë përdorur fondet e grumbulluara nga taksa mbi infrastrukturën arsimore në funksion të pagesës shtesë të miratuar së fundmi në Këshillin Bashkiak të Tiranës për inceneratorin inekzistent dhe në sekuestro të Tiranës?

Këto janë 16 pyetjet të cilat i kam adresuar zyrtarisht për Kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe të cilat presin përgjigje nga të gjithë qytetarët dhe bizneset e kryeqytetit.

Ka shtatë vite që kjo taksë paguhet rregullisht dhe në dhjetor të vitit të kaluar, në fshehtësi të plotë, pagesa e saj u shty edhe për tre vitet e ardhshme nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, pa u konsultuar me grupet e interesit dhe pa dhënë asnjë sqarim publik.

Qytetarët dhe bizneset, të cilët vetëm në vitin 2022 paguan rreth 760 milion lekë të reja taksa mbi infrastrukturën arsimore, meritojnë transparencë: Pse shkollat e premtuara nuk u ndërtuan?

Në kushtet e “territ informativ” dhe mosrespektit të plotë të dëshmuar prej 7 vitesh ndaj qytetarëve të Tiranës, tani është koha për llogaridhënie: Ku kanë përfunduar taksat?

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re