Kalimi i shërbimeve online në e-albania, duket se ka nxjerrë në rrugë të moshuarit, që në shumë qytete të vendit, mbeten në radhë pranë zyrave të ADISA-s, edhe pse kjo e fundit nuk ofron shërbim.

Ngjashëm si në Elbasan, Gjirokastër, që Fax News trajtoi më herët, edhe në Fier panorama është e ngjashme, ku radhët janë krijuar edhe më shumë për shkak të 4 ditëve të pushimit për administratën.

Një prej të moshuarave e irrituar tregon celularin e saj nokia të thjeshtë, i cili nuk mund të ketë akses në internet, dhe rrjedhimisht as në e-albania.

“Erdha në datën 27 këta më sorrollatën, nuk pranonin dokumentet, sot më mbyllin dyert. Unë kam këtë telefon, ku të shkoj unë, fëmijët nuk i kam, ku di unë që ti bëj online me këtë telefon, të rri pa telefon, të sorrollatem te zyrat e këtyre”, shprehet e irrituar një e moshuar, ndërkohë që të njëjtin shqetësim ka edhe një tjetër zonjë.

Ajo tregon se i duhet të plotësojë dokumentet për pensionin, por edhe pranë Kadastrës.

“Nuk e zgjidhim dot ne këtë punë online, ata edhe kur vijnë atje janë të mësuar”, shprehet një tjetër zonjë.

Ndërkohë që një pjesë e mirë e procedurave kanë mbetur në mes, pjesa më e madhe e qytëtarëve kanë probleme me zyrën e kadastrëas dhe pensionet.

Për të moshuarit apo ata që nuk kanë mundësi teknologjike, mbyllja e sporteleve Adisa është shumë shqetësuese, ndërsa ende nuk ka një udhëzim se si do të veprohet për ti dhënë zgjidhje këtyre qytetarëve.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re