Banorët e fshatit Funares në Librazhd kanë dalë sot në protestë, kundër një vendimi të bashkisë që i  jep një pjesë të konsiderueshme të pyllit një kompanie private për shfrytëzim.

Banorët shprehen se nuk janë pyetur dhe konsultuar nga autoritetet lokale për dhënien e këtij vendimi, ndërkohë që kanë nisur dhe mbledhjen e firmave për ta kundërshtuar planin e biznesit në fjalë.

“Kjo pjesë është territori i fshatit, edhe kur u nda toka, sasinë e tokës që kemi marrë është ajo brenda fshatit, ne kjo na është kompesuar si tokë buke, ne nuk jemi dakord për shitjen, nuk e dimë as se kush është shitësi dhe as kush është blerësi.

Shteti nuk është se ka bërë ndonjë investim në këtë fshat, nuk kemi nevojë për zhurmuese, sepse këtu rrinë kafshët e pyllit, të cilat do të spostohe drejt qendrave të banuara. Shteti të mos i japë superfuqi të fuqishmve, ne nuk kemi nevojë për lokal. Fshati është i prerë në 3 anë me lumenj, është territor që i përket dhe i nevojitet fshatit, ne këtu marrim lëndën drusore, do të kullosim bagëtitë, pijnë ujë barinjtë në këto burime.

Të na lënë në hallet tona, asgjë nuk po na japin, por të paktën të mos shesin territorin që na përket ne”, shprehet një prej banorëve të Funares.

Ndërkohë që një tjetër banor shprehet për Fax News: Na i kanë marrë të gjitha gjërat që kemi pasur, na kanë marrë lumenjtë, burimet, tani duan që të na marrin edhe pyllin, nuk na kanë pyetur për asnjë gjë. Të na prishi dhe shtëpitë, nuk kemi ku marrim një dru mullari, është e kot me ndejt, as nuk na mbledhin, i bëjnë të gjitha fshehurazi, do na vijnë dhe shtëpia dhe do të na i prishin fare. Mos të ndahen gjërat në mënyrë të padrejtë, vetëm me na marrë shpirtin, se fëmijët nuk jetojnë dot më këtu.

Sipas banorëve, edhe pse janë grup interesi, ata nuk kanë marrë asnjëlloj lajmërimi, për vendimin që pylli t’i jepet një kompanie private.

“Të zhbëhet sa më shpejt kjo qiradhënie, nuk mund ti kullosim bagëtitë  në asfalt, ne ku do të shkojmë, u bë deti kos, dhe ne nuk po na takon një lugë. Do ti drejtohemi organeve të prokurorisë, përveçse do të përshkallëzojmë protestat. Ka qenë 1 hektar, më pas u çua në 2 hektarë”, shprehet një tjetër prej banoreve të Funares.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re