Skip to content

Kuçovë, banesa sociale me kushte optimale për strehimin e 12 familjeve

Një fond prej 15 milionë lekësh të reja i dhënë nga qeveria ka bërë të mundur strehimin e 12 familjeve të para përfituese nga programi i banesave sociale në Bashkinë e Kuçovës.

Kryeministri Edi Rama ka parë nga afër godinat e reja, dikur ish-magazina nafte, të cilat janë kthyer në ambiente banimi falë këtij fondi strehimi, ku do të akomodohen familjet më në nevojë për të vijuar më tej me shtimin e banesave sociale përmes ngritjes së një tjetër kati, apo edhe të një tjetër pallati për të pastrehët në këtë bashki.

“Kjo ka qenë zonë industriale, ish-magazinat e naftës. Aty ne bëmë për të pastrehët 12 hyrje me perspektivën që mund të bëjmë dhe shtesa më vonë. Këtu ka shumë të pastrehë që ne duam t’i sistemojmë. Do bëjmë tratativa edhe me Entin e Banesave për të bërë një pallat tjetër,” shprehet kryetari i Bashkisë, Selfo Kapllani.

Nga ana e saj, deputetja Ermonela Felaj tha se përveç këtyre banesave Bashkia e Kuçovës ka kryer edhe rikonstruksionin e 37 familjeve të tjera në nevojë.

“Bashkia është ndihmuar edhe me një fond tjetër për të rikonstruktuar disa shtëpi, kryesisht të komunitetit rom,” u shpreh Felaj./ata.gov.al