Në mesazhet e ditës së parë të vizitës në veriun e Kosovës, presidenti Vuçiç veçoi dhe atë mbi liqenin e Gazivodës, duke mos e fshehur faktin se ai përfaqson një prej çështjeve të mprehta mes serbëve e shqiptarëve.

E nga ana tjetër, Thaçi ia kushtoi Luginës deklaratën e kësaj të shtune, ndërsa homologu i tij serb shqetësohej për liqenin që ndau palët edhe në Bruksel.

“Gazivoda flet për betejat e rënda që i kemi me shqiptarët. Por shpresoj që do të merremi me shfrytëzimin e ujit, pasi shumica e Kosovës e merr ujin nga këtu. Kështu që duket se këto gjëra do të zgjasin edhe për një kohë të gjatë, por detyra jonë para se gjithash është që të ruajmë paqen dhe të tentojmë të afrohemi drejt gjetjes së ndonjë zgjidhjeje, edhe pse mendoj se ky është proces pa kthim, të cilën nuk do të mund ta përfundojë as kjo gjeneratë e politikanëve, e as tjetra dhe gjenerata e tretë mund ta përfundojë. Me rëndësi është që të shikojmë në të ardhmen, pasi mendoj se kufijtë do të jenë më pak të rëndësishëm kur të bëhemi pjesë e Evropës”, tha Vuçiç.

Ndërsa në paralel me të, në distancë, Thaçi do të përcillte një mesazh në FB që kishte lidhje me Luginën, si pjesë e projektit të rishikimit të kufijve, për t’ju bashkangjitur Kosovës .

“Kjo çështje do të diskutohet në kuadër të demarkimit të kufirit prej 430 kilometrave ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe mund të zgjidhet. Të mos mbesim rob të dhuratave të antishqiptarit famëkeq Aleksandër Rankoviç, por të punojmë për korrigjimin e historisë dhe rritjen e sigurisë për të ardhmen evropiane. Rezultate të marrëveshjes eventuale paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jenë njohja reciproke me Serbinë, njohja nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, anëtarësimi në Këshillin e Evropës, anëtarësimi në OSBE dhe heqja e vetos ruse në Këshillin e Sigurimit, si parakusht për anëtarësimin e Kosovës edhe në OKB”, shkroi Thaçi.

 

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re