Në pikëkalimin e Kakavijës është rritur fluksi i qarkullimit menjëhere pas masave lehtësuese për hyrje-daljet.  526 qytetarë janë regjistruar në hyrje për në Shqipëri, dhe 317 në dalje. Të gjithë personat që hyjnë janë qytetarë shqiptarë që kishin mbetur të izoluar në Greqi përgjatë karantinës.

Sipas rregullores ata po karantinohen në banesat e tyre në qarqe të ndryshme të vendit. Të gjithë qytetarët skedohen dhe ju matet temperatura. Për të gjitha rastet njoftohen shërbimet parësore sipas rastit dhe ekipet e shëndetit që gjenden pranë banesave të tyre. Vetëm 10% e personave që kanë mbëritur këto ditë janë nga qarku i Gjirokastrës.

Shumica e personave të dalje janë punëtorë sezonalë që kanë përfituar nga marrëveshja mes të dy vendeve për të përballuar ngarkesën e punës në bujqësi në shtetin grek.

Koha e përpunimit si në hyrje edhe në dalje është e dyfishuar në raport me situatat normale për shkak të masave ekstra që lidhen me Covid 19.