
Ligji i ri “Për ndryshimet klimatike” parashikon masa të reja për uljen e emetimeve nga sektori i transportit, duke vendosur kufizime dhe detyrime specifike për automjetet e reja që hidhen në treg.
Sipas dokumentit të sapo publikuar në Fletoren Zyrtare, automjetet e reja për pasagjerë, automjetet e reja të lehta tregtare dhe automjetet e rënda mund të vendosen në treg vetëm nëse përmbushin kërkesat e performancës për emetimet e dioksidit të karbonit (CO₂), që do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Ligji ngarkon qeverinë, që të miratojë rregulla të detajuara për performancën e shkarkimeve të CO₂ nga automjetet e reja.
Këto rregulla përfshijnë monitorimin dhe raportimin e të dhënave për regjistrimin e automjeteve të reja për pasagjerë, si dhe vlerësimin e reduktimit të emetimeve krahasuar me automjetet e reja të lehta tregtare.
Një tjetër element i rëndësishëm i parashikimit të ri lidhet me transparencën për konsumatorët.
Automjetet e reja për pasagjerë dhe automjetet e reja të lehta tregtare do të mund të shiten ose të jepen me qira vetëm nëse shoqërohen me informacion të qartë për konsumimin e karburantit dhe nivelin e emetimeve të CO₂.
Ligji parashikon gjithashtu masa të posaçme për sigurimin e informacionit mbi konsumin e lëndës djegëse dhe shkarkimet e CO₂ gjatë marketingut të automjeteve të reja, me qëllim ndërgjegjësimin e konsumatorëve dhe orientimin e tregut drejt automjeteve me ndikim më të ulët klimatik.



