Ndryshimet që u bënë në ligjin e Urdhrit të mjekëve nëpërmjet një akti normativ ku ndër të tjera parashikon kufizimin e mjekëve te të punojnë në spitalet publike dhe ato private, kundërshtohet fort nga Urdhri i mjekëve.
Zëvendëspresident i Urdhrit të Mjekut, Dritan Trepçe shprehet për Top Channel: Një mjek që kapet i hiqet licenca për 5 vjet. Mjeku del në komision disipline.
Zëvendëspresdienti i Urdhrit te Mjekut shpjegon se marrëdhënia e punësimit të mjekëve duhet rregulluar me kod pune apo me ligjin e kujdesit shëndetësor.
“Ne nuk jemi ent ndëshkues por edukues. Punësimi i mjekëve rregullohet me kod pune”, shprehet Trepçe.
Trepçe thotë se për këto ndryshime janë vënë në dijeni vetëm pas botimit në fletoren zyrtare dhe se urdhri i mjekut nga një ent i pavarur tanimë kalon në varësi të ministrisë së shëndetësisë.
“Kemi kaluar si një shtojcë apo departament i ministrisë së Shëndetësisë”, shton ai.
Së shpejti pritet të mblidhet Asambleja Kombëtare e Urdhrit për të dalë më një qëndrim zyrtar kundër aktit normativ që u miratua në mbledhjen e fundit të qeverisë në 1 gusht.
http://https://youtu.be/hIsAD54DtGI
DEKLARATË NGA URDHRI I MJEKËVE TË SHQIPËRISË
09.08.2024
Pas botimin ne fletoren zyrtare zyrtare u njohëm me aktin normative Nr. 2 datë 01.08.2024 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 123/2014 Për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”. Para botimit në Fletoren Zyrtare ne nuk kemi dituar asnjë detaj mbi ndryshimet dhe shtesat që i ishin bërë ligjit tonë. NE si përfaqësues të ligjshëm të mjekëve dhe palë e interesuar direkt pritëm dhe kërkuam të thirreshim në diskutimin në detaje nen për nen të ndonjë drafti që do të ndryshonte Ligjin e sipërcituar (siç ka ndodhur më parë në hartimin dhe përmirësimin në tre ligjet e bëra për UMSH nga Kuvendi i Shqipërisë).
Theksojmë se ne sot jemi një organizëm me një veprimtari 30 vjeçare, por kësaj here kjo gjë nuk ndodhi. Sigurisht të gjitha strukturat tona do të studjojnë dhe analizojnë me hollësi ndryshimet dhe shtesa që i janë bërë Ligjit. Urdhri i Mjekëve do të therras Asamblenë Kombëtare që do të shpreh qëndrimin zyrtar të tij. Ndryshimet dhe shtesa nëpërmjet këtij akti normativ që i janë bërë Ligjit janë thelbësore dhe e transformojnë tërësisht atë. Në emblemën e UMSH është vendosur një libër dhe një peshore. Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë edukon anëtarët (Kodi i Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, standardet profesionale, edukimi i vazhdueshëm mjekësor, etj konfirmojnë karakterin edukativ të tij). Peshorja shpreh ekuilibrin midis interesave të anëtarësisë dhe harmonizimin e tyre në interes të publikut (dëshmuar me gjykimin disiplinor profesional).
Moto e Urdhri të Mjekëve është Drejton mjekët dhe mbron pacientët. Për punën dhe veprimtarinë tonë, vetëm dy muaj më parë gjatë festimeve të 30 vjetorit të krijimit të UMSH, ne morëm vlerësime pozitive, si nga ministria e linjës dhe nga homologët tanë ndërkombëtarë (mirënjohje nga Këshilli Evropian i Urdhërave të Mjekëve – CEOM, Shoqata Botërore Mjekësore – WMA, Komiteti i Përhershëm i Mjekëve Evropianë-CPME, etj) Me ndryshimet e reja ligjore, UMSH nga edukues kthehet në ndëshkues, nga ent publik jo buxhetor i pavarur profesional kthehet në një shtojcë apo department të Ministrisë së linjës.
Miratimi i Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore bëhet nga Ministria e linjës, përbërja, organizimi dhe funksionimi i komisionit të disiplinës dhe komisionit të apelimit rregullohet me vendim të këshillit të ministrave. Siç shihet, pavarësia humbet plotësisht, nuk ka asnjë element të vetrregullimit apo të vetqeverisjes profesionale siç i kemi patur në përputhje me ligjin dhe tiparet e homologëve ndërkombëtar.
Pa përmendur klauzola të tjera në ligjin e ndryshuar, por që në fakt kanë të bëjnë me veprimtarinë e institucioneve shëndetësore publike (kontrolli i sistemit të referimit, kontratat e punës, etj) shihet qartë se ndryshimet ligjore bien ndesh me rolin, misionin dhe funksionin e UMSH-së. Këto ndryshime dhe shtesa prishin përputhshmërinë me homologët tanë ndërkombëtar.
Duke theksuar për mos dakortësinë tonë të plotë me këto ndryshime ligjore, kërkojmë nga të gjithë organet ligjvënëse dhe ligjzbatuese ( Kuvendi i Shqipërisë, Qeveria, Presidenti i Republikës së Shqipërise edhe si mjek) të ri shikohet ky akt normativ dhe përfaqësuesit tanë të jenë pjesë e konsultimeve për të bërë një ligj të ri për UMSH në kuadrin e përshtatjes së legjislacionit tonë me atë të Bashkimit Evropian dhe gjithmonë në përputhje me përvojën tonë 30 vjeçare dhe modelet e homologëve ndërkombëtar për të vazhduar si pjesë e denjë e organizatave të tyre.