Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka zbuluar se ndalimi i lëvizjes pas orës 22:00 nga Komiteti i Ekspertëve është vendosur për shkak të qëndrimit në kohë të gjatë në lokale e restorante, që kthehen në burim infeksioni.

Në emisionin “Opinion”, Manastirliu theksoi se së fundmi është parë ulje e numrit të rasteve në call center e fasoneri, por shifrat janë rritur nga frekuentuesit në bare e restorante.

“Është vendosur ora 22 pasi kishte të bënte me lëvizshmërinë në bare dhe restorante, ku grumbullimet dhe qëndrimet në tavolina për kohë të gjata janë cilësuar si zona më me rrezik për përhapjen e virusit. Kufizimi është për bare, restorante, fast food-e apo ambiente që ofrojnë shërbime në tavolina.

Lejohen vetëm ato raste të punës. Virusi është prezent, por shumëfishohet kur ka grumbulluar. Në fundjava ka më shumë interaktivitet mes njerëzve. Ka një vlerësim, i cili është i bazuar në zonat e riskut, të cilat janë të pakontrolluar nga pikëpaqmja e ndërveprimit.

Për call center dhe fasoneri ka protokolle strikte. Nga Qershori e tutje ka pasur ulje të rasteve në fasoneri e call center dhe ka pasur rritje të atyre kategorive që janë frekuentues të bareve dhe restoranteve”, tha Manastirliu.

Kujtojmë se Komiteti i Ekspertëve njoftoi sot se orari i ri përcakton se nga ora 22:00 deri në 06:00 nuk do të lejohet lëvizja, përvec rasteve urgjente apo për arsye pune. (A.M/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re