Duke marrë shkas nga të dhënat e ndryshme të bëra publike në media si dhe përhapja e mesazheve nëpërmjet telefonit, në lidhje me informacione të dyshuara si të rreme mbi përhapjen e mundshme të Coronavirusit, në vendin tonë, Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë ka nisur hetimet.

Njoftim për shtyp: 

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, duke marrë shkas nga të dhënat e ndryshme të bëra publike në media si dhe përhapja e mesazheve nëpërmjet telefonit, në lidhje me informacione të dyshuara si të rreme mbi përhapjen e mundshme të Coronavirusit, në vendin tonë, filloi kryesisht hetimin për veprën penale të “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, parashikuar nga neni 267 i Kodit Penal.

Objekti i hetimit lidhet me situatën e krijuar si rezultat i hapjes së informatave për të cilat dyshohen se janë të rreme, për shkak të natyrës sensitive që paraqet përhapja e këtyre informacioneve në masën e gjerë.

Duke treguar impenjimin maksimal të prokurorisë, në trajtimin e rasteve të tilla, sjellim në vëmendjen e qytetarëve se çdo përhapje e informatave apo njoftimeve të rreme, me fjalë, me shkrim, apo me çdo mënyrë tjetër, me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku tek njerëzit është penalisht e dënueshme.

Vijojmë të ndjekim me interes të shtuar, çdo të dhënë në raport me rastin konkret, duke kërkuar mirëkuptimin dhe besimin e qytetarëve.

Nga ana tjetër, mirëpresim çdo qytetar për informacionet që mundet të disponojnë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re