Iliada Kovaçi

Një prej gjërave ndaj të cilave duhet të tregojmë më tepër kujdes gjatë gjithë vitit por veçanërisht më tepër gjatë stinës së verës është ushqyerja. Një ushqyerje e rregullt, përkthehet në një shëndet më të mirë dhe imunitet më të forte.

Dr. Alma Hoxhaj e pyetur nga gazeta Shëndeti ka shpjeguar se kjo periudhë është delikate. Problemet të cilat ajo has tek pacientët janë të ndryshme por ato më të shpeshtat kanë të bëjnë me covid-19 dhe ushqyerjen. Sa I takon ushqyerjes janë rritur shumë rastet e helmimeve nga ushqimet e ndenjura dhe të pakontrolluara. Kryesisht helmimet shoqërohen me simptoma të tilla si: diarre, të vjella, lodhje dhe temperaturë. Një pjesë e madhe e këtyre pacientëve me të tilla probleme i drejtohen urgjencës sepse kanë fillim të menjëhershëm dhe jo dicka që nis gradualisht me shfaqjen e një apo dy simptomave.

‘Qytetarët duhet të kenë më tëpër kujdes në konsumimin e ushqimeve, pasi ato duhet të jenë sa më të freskëta dhe të gatuara në çast. Duke konsumuar kryesisht zarzavate, fruta dhe ushqime të gatuara brenda vaktit, qoftë në shtëpi apo dhe ato në restorante, do të mund të shmangim helmime. Ajo çfarë është më e rëndësishme dhe duhet patur parasysh është mos blerja e ushqimeve në shitësit ambulatorë, ata që shesin ushqime të pakontrolluara dhe që qëndrojnë për orë të tëra të ekspozuara në diell, pasi duke mos u mbajtur në temperaturën dhe kushtet e duhura mund të çojnë deri në rrezik të madh për jetën. Fëmijët e vegjël dhe moshat e treta janë ato të cilët po i përballojnë më me vështirësi këto probleme gjatë stinës së verës’, thotë mjekja infeksioniste Alma Hoxha

Duke parë dhe situatën për rreth ajo çfarë mjekia Alma Hoxhaj na këshillon është konsumimi sa më shumë i ujit, lëngjeve, perimeve dhe çdo lloj ushqimi tjetër i kontrolluar dhe i gatuar në çast. Vetëm më ndjekjen e këtyre këshillave do të mund të kalojmë një verë sa më të qetë e të sigurt.

Nisur nga shqetësimi i vazhdueshëm për konsumimin e ushqimeve të kontrolluara, gazeta Shëndeti bëri një monitorim të rastësishëm sot në terren, dhe duket se situara vazhdon e njëjtë. Shitësit ambulatorë shesin ushqime të tilla si bulmeti, perimet, frutat, në kushte krejt të pa favorshme, të ekspozuara në diell dhe ambient të ndotur.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re