Nga: Sali Shasivari

Duke marë parasyshë gjendjen e gjithmbarshme dhe të palakmueshme të institucioneve edukativo-arsimore në ‘shqipëritë’ tona, reformat joadekuate dhe të pasukseshme të cilat po implementohen në to, politizimin e skajshëm të tyre, sfidat e shumta me të cilat ballafaqohen të njejtat, rënien e kualitetit të përgjithshëm në to, etj. …; si dhe, duke marë parasyshë faktin se, edukimi dhe arsimi ka qenë, është, dhe do të mbetet imperativ parësor për çdo popull, në çdo kohë, dhe në çdo vend, pasi është parakushti kryesor i ekzistimit, zhvillimit dhe avansimit të çdo kulture dhe civilizimi njerëzor…

Në saje të këtyre fakteve, është i pashmangshëm konstatimi se, kujdesi, kultivimi, dhe investimi në procesin ‘edukativo-arsimor’ paraqet prioritet të prioriteteve…!

Në këtë kontekst, do të mjaftoj së përmenduri thënien e ish-kryeministrit të Malajzisë, z. Mehatir Muhamed, i cili, në një rast u shpreh: “Mësimin më të mirë që e kam marë nga përvoja ime e të qenit në pushtet, është se, problemet e shteteve janë të pafundta, mirëpo, zgjidhja e të gjitha këtyre problemeve fillon nga arsimi”.

Të shumtë janë faktorët, metodat, dhe mjetet të cilat ndikojnë në mënyrë direkte apo indirekte në edukimin, arsimimin, si dhe përgatitjen e gjeneratave të reja për jetë. Mirëpo, roli i institucioneve edukativo-arsimore, si institucione qëllimisht të organizuara, si në të kaluarën poashtu edhe sot, mbetet i pazëvendësueshëm, prandaj edhe meriton një kujdes të veçantë.

1. Pse institucionet edukativo-arsimore?

Nuk ka dyshim se të gjithë faktorët tjerë janë të rëndësishëm dhe duhet të veprojnë dhe ndikojnë në mënyrë unike, mirëpo, në këtë proces, institucionet edukativo-arsimore luajnë rol tejet të rëndësishëm, dhe, kanë barrë më të madhe, edhe atë, për shkak se:

– Institucionet edukativo-arsimore janë institucione qëllimisht të organizuara për edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj, me qëllim të përgatitjes së tyre për jetë…
– Në momentin kur paraqiten kriza shoqërore, shkakun duhet kërkuar në institucionet edukativo-arsimore…; dhe, e kundërta, në rast të paraqitjes së problemeve në institucionet edukativo-arsimore, shkakun duhet kërkuar në shoqëri…
– Institucionet edukativo-arsimore, që nga shkolla fillore e deri në universitet, janë bartës relevantë të punës edukativo-arsimore në tërësi…
– Institucionet edukativo-arsimore të cilat udhëhiqen nga kuadri pedagogjik-profesional, funksionojnë në saje të dokumenteve pedagogjike, me plan e program përkatës; dhe se, të njejtat, pa dyshim, janë institucione më të rëndësishme, më të organizuara, më të sistemuara, dhe, më efikase për edukimin e personalitetit të tërësishëm e të gjithanshëm të njeriut…
– Në institucionet edukativo-arsimore, njeriu (fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit) e kalojnë pjesën më të madhe të jetës aktive, përkatësisht ‘periudhën e zhvillimit më intensiv’ dhe më me influencë për formimin e personalitetit…
– Në botën bashkëkohore, çdo ditë e më shumë, një përqindje e madhe e popullatës, një të tretën e jetës e kalon në bangat e institucioneve edukativo-arsimore, duke u përgatitur për jetë, për punë, dhe për shfrytëzim të kohës së lirë, etj.

2. Rëndësia e punës edukative

Në kohën tonë bashkëkohore, periudhën e postmodernizmit, zhvillimit të shpejtë tekniko-teknologjik, akselerimit dhe multiplifikimit tejet të shpejtë të njohurive shkencore, në kohën e internetit, robotëve dhe anijeve kozmike…etj., njerëzimi vazhdon të vuajë dhe të zhytet ditë e më shumë në kriza të reja të identitetit të tij njerëzor, si rezultat i alienimit, dehumanizimit, materializmit të skajshëm, dhe tronditjes së vlerave të mirëfillta…; gjë kjo e cila rezultoi në paraqitjen e shumë anomalive dhe aspekteve devijante të cilat i kanosen vetë qenies njeri me vetëzhdukje!

Kështu, njerëzimi sot po vuan nga egoizmi i tepërt, urrejtja e ndërsjellë, jotoleranca, dhuna, krimi, amoraliteti, destruktiviteti, etj., dhe, po ballafaqohet me kriza vlerash, kriza shoqërore-ekonomike, kulturore, dhe morale të cilat po e sfidojnë atë dita-ditës, dhe nxjerrin në pah çështje dhe aspekte të ndryshme, të cilat kërkojnë qasje serioze dhe kujdes të veçantë, me qëllim të evitimit të pasojave të padëshirueshme për shoqërinë aktuale dhe gjeneratat që pasojnë…

Në dritën e një realiteti të këtillë të hidhur, dhe kësaj krize të thellë morale në të cilën po kalon shoqëria njerëzore në tërësi, si dhe populli shqipëtar në veçanti, puna edukative – si proces dhe veprimtari e humanizimit dhe socializimit të njeriut, gjegjësisht, si akt shoqëror, individual, dhe, si proces universal i formimit dhe i vetëformimit të personalitetit të lirë, të tërësishëm e të gjithanshëm të njeriut – aktualizohet gjithnjë e më tepër, ngase është baza nga e cila fillon gjithçka…

Andaj, duke patur parasyshë se:

– Faktori njeri është faktor vendimtar për tejkalimin e krizave të lartëpërmendura…
– Krizat shoqërore i kanë kushtëzuar krizat edukative, dhe e kundërta, krizat edukative i kanë kushtëzuar krizat shoqërore…
– Kriza shoqërore dhe morale nuk mund të tejkalohet pa afirmimin, përkatësisht pa riafirmimin e funksionit edukativ në të gjitha etapat e zhvillimit dhe të formimit të personalitetit të njeriut, etj…

Për tejkalimin e këtyre krizave dhe sfidave, s’do mend se nevojitet një angazhim serioz dhe unik i të gjithë faktorëve edukativ, siç janë: familja, entet parashkollore, konviktet, rrethi shoqëror, institucionet fetare, shoqatat dhe organizatat e ndryshme, mediumet, shtypi, radio, televizioni, institucionet kulturore, teatri, filmi, bibliotekat, muzetë, etj., e me theks të veçantë, institucionet edukativo-arsimore (shkollat, universitetet, etj.).

3. Detyrat dhe objektivat e institucioneve edukativo-arsimore bashkëkohore

Me qëllim që institucionet edukativo-arsimore të sotme ta kryejnë si duhet rolin e tyre vendimtar që e kanë në edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj, para tyre parashtrohen disa obligime dhe detyra, edhe atë, si vijon:

– Sistemi edukativo-arsimor duhet të reformohet e transformohet, në përshtatje me ndryshimet shoqërore-ekonomike, shkencore, tekniko-teknologjike, kulturore, artistike e qytetëruese…
– Institucionet edukativo-arsimore bashkëkohore nuk duhet të jenë vetëm institucione për fitimin e diturive e informacioneve, por ato – njëherazi – duhet të jenë institucione në të cilat kalitet, formohet dhe vetëformohet personaliteti i tërësishëm i njeriut…
– Shtrohet nevoja që, krahas ndikimeve në planin intelektual, racional, kognitiv, të shtohet ndikimi në fushën e vullnetit dhe të emocioneve, meqë, dihet mirëfilli se, pa emocione nuk mund të ketë bindje përkatëse, e në mes tjerash edhe bindje edukative dhe morale…
– Institucionet edukativo-arsimore bashkëkohore duhet të demokratizohen dhe të reformohen në përputhje me synimet për ndryshime rrënjësore shoqërore-ekonomike e politike, të mbështetura në shtetin e së drejtës, në ekonominë e tregut, etj…
– Çdo transformim dhe reformë në sistemin edukativo-arsimor duhet të ketë parasyshë strukturën, tiparet dhe karakteristikat e shoqërisë përkatëse, dhe se, me çdo kusht duhet shmangur shablloneve…
– Një nga faktorët shumë të rëndësishëm në procesin e mirëfilltë arsimoro-edukativ, do të ishte edhe edukimi fetar nëpër shkolla…

Duke marë parasyshë gjithë këtë që u tha, si dhe, duke marë parasyshë faktin se, mbi të gjitha, institucionet edukativo-arsimore ndikojnë drejtpërsëdrejti në rrjedhat e shoqërisë, si dhe, ndikohen prej tyre…; në këtë kontekst, duhet mobilizuar të gjitha forcat dhe faktorët të cilët do të ndikonin pozitivisht në zhvillimin normal dhe efektiv të sistemit edukativo-arsimor, me qëllim që, mëpastaj, edhe ato të reflektojnë pozitivisht në rrjedhat shoqërore…

Kjo, ngase, e sotmja dhe e nesërmja e çdo populli, e në këtë kontekst edhe e popullit shqiptar, do të kushtëzohen prej cilësisë dhe masivizimit të edukatës dhe arsimit…

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re