Kryeministri Edi Rama rrëfeu së fundmi me shaka dhe autoironi, një episod të dhunshëm nga jeta e tij personale, rrahjen brutale që kishte pësuar në vitet kur ishte pedagog i Akademisë së Arteve, një sulm që i theu hundën dhe që, siç e pranoi vetë, i ka mbetur në kujtesë.
Është njerëzore. Dhuna lë gjurmë. Trupi shërohet, por memoria mbetet. “Ma morën hundën në dorë si skulpturë, me leva hekuri”, – tha Rama, duke e shndërruar dhunën në një anekdotë publike, por edhe në një kujtesë personale, që ai e risjell herë pas here në diskursin e tij.
Askush nuk ka arsye të dyshojë se dhuna fizike është traumë që nuk harrohet kurrë. Dhe pikërisht kjo e bën edhe më tronditës kontrastin. Si është e mundur që një njeri që e njeh kaq mirë dhimbjen e dhunës, që e përmend shpesh si plagë personale dhe historike, të jetë po ai që “bekoi” një nga aktet më brutale të dhunës shtetërore ndaj pronës private në vitet e fundit, shembjen me tritol të “Prestige Resort”?!
Kur Rama flet për hundën e thyer, flet për padrejtësi. Kur flet për ‘97-ën, flet për kaos, për dhunë që nuk duhet të përsëritet kurrë. Por kur pushteti i tij vendos tritol mbi një hotel, mbi një pronë ku pushonin familje, ku flinin fëmijë, ku ndodheshin kujtime, lodra, rroba, dokumente, atëherë dhuna relativizohet, justifikohet, normalizohet.
“Prestige Resort” nuk ishte një kasolle e fshehur në errësirë. Ishte një strukturë që shteti e njihte, e vizitonte, e përdorte dhe e promovonte. Ministrat e Turizmit e shisnin si histori suksesi. Institucionet mblidhnin taksa. Evente shtetërore organizoheshin aty. Dhe papritur, në dhjetor 2022, pa paralajmërim real, pa proces të matur, pa respekt minimal për pasojat njerëzore, shteti zgjodhi tritolin.
Plaga e saj jeton vetëm në kujtesë. Por për ata që panë pronën të shkatërrohej nga shteti, plaga është ende e hapur. Memoria e saj do të zgjasë shumë më tepër se një shaka në podcast. Diferenca mes dhunës kriminale dhe dhunës shtetërore është se e dyta kryhet në emër të ligjit. Dhe pikërisht për këtë arsye është më e rëndë, më e rrezikshme dhe më e pafalshme. Hunda e kryeministrit është shëruar prej kohësh. Por tritoli la një kujtesë tjetër, më të rëndë, më kolektive. Dhe ajo nuk fshihet as me batuta, as me pushtet. Pyetja që mbetet nuk është emocionale, por politike. A është dhuna e gabuar vetëm kur godet kryeministrin, apo edhe kur buron prej tij?!
“Prestige Resort” u hodh në erë me 70 kg eksploziv! Leja, e firmosur nga Rama
Më datën 4 dhjetor të vitit 2022, IKMT hodhi në erë “Prestige Resort”, një godinë 7-katëshe, që për shumë vite u kthye në imazhin e bregdetit të Adriatikut, duke pritur turistë të shumtë nga jashtë vendit, por edhe pushues nga trevat shqiptare. Para se shembej godina e këtij resorti, IKMT ndërmori një tjetër aksion në korrik të po atij viti, aksion i cili nisi vetëm me prishjen e pishinës së resortit.
Resorti ishte me leje ndërtimi të leshura nga KKT në datën 7.03.2016, por aksioni i IKMT u ndërmor në mënyrë të paligjshme, pasi dokumentet për ndërtimin e këtij resorti ishin konform ligjeve dhe madje, leja është firmosur nga Kryeministri Edi Rama në cilësinë e kryetarit të KKT. Ishte drejtoresha e IKMT, Dallëndyshe Bici, e cila iu dha ultimatum vartësve dhe hodhi firmën për shpërthimin me eksploziv të godinës së “Prestige Resort” në Golem, duke e çuar deri në fund hakmarrjen e Ramës dhe sulmin ndaj raportimit të realitetit në Shqipëri dhe linjës editoriale të mediave në pronësi të presidentit të “Hysenbelliu Group”, Irfan Hysenbelliu.
Bici, si e tillë nuk pyeti as për shtet ligjor dhe as për vendime gjykatash, por vendosi 70 kg eksploziv, të cilat hodhën në erë godinën më pak se 24 orë nga afati i njoftuar nga Gjykata Administrative për shqyrtimin e ankimimit në lidhje me ligjshmërinë e ndërtimit të godinës. Çdo mekanizëm i strukturës së drejtuar nga Bici u vu në lëvizje që shembja e godinës të finalizohej para ditës së hënë./Gazeta Panorama
