Kujtim Gjuzi, Selami Jenishehri, Kostaq Papa dhe Zef Shtjefni, pjesë e asaj që quhet si “opozita parlamentare” kërkojnë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që t’u ndajë para për fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.

Katër deputetët kanë bashkuar forcat nën koalicionin “ABEOK”, që përfshin Partinë Kombëtare Konservatore Albania, të Kujtim Gjuzit, Partinë Ora e Shqipërisë të Zef Shtjefnit, Partinë Bashkimi Popullor i Pensionistëve të Shqipërisë të Selami Jenishehrit dhe Partinë e Emigracionit Shqiptar të Kostaq Papës.

Katër deputetët e bashkuar nën një sigël kanë ankimuar ditën e enjte në Komisionin e Ankesave dhe të Sanksioneve vendimin e Komisionerit Ilirjan Celibashi për ndarjen e fondeve për partitë politike, vendim që i lë jashtë këtij fondi.

Gjuzi me shokë pretendojnë se Celibashi ka shkelur ligjin për partitë politike dhe saktësisht nenin 19 të tij, ku përcaktohet mënyra e ndarjes së fondeve.

Ky nen thotë se 70 për qind e fondit elektoral u ndahet partive politike sipas numrit të deputetëve që kanë fituar në zgjedhjet e fundit, 20 për qind në mënyrë të barabartë për të gjitha partitë që kanë marrë mbi 10 mijë vota në zgjedhjet e fundit dhe 10 për qind sipas përqindjes së fituar ndërmjet partive politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe kanë fituar mbi 1 për qind të votave në shkallë vendi.

“Theksojmë se në rastin konkret ne kemi 4 deputetë me mandat që është koalicioni ABEOK”, thuhet në ankimimin e dorëzuar në KAS nga ky koalicion.

Megjithatë, në ndarjen e fondeve komisioneri Celibashi ka marrë parasysh përcaktimin e ligjit që kushtëzon numrin e deputetëve të marrë në zgjedhjet e fundit. As Partia Konservatore e Kujtim Gjuzit dhe as partitë e tjera që kanë firmosur këtë ankesë nuk kanë marrë vetë mandate në zgjedhjet e 2017-ës.

Kostaq Papa dhe Selami Jenishehri ishin kandidatë në listat e Partisë Demokratike për Qarkun e Tiranës, Zef Shtjefni ishte i fundit po për PD në Shkodër dhe po i fundit dhe po për PD ishte Kujtim Gjuzi për Durrësin. Të katër ata hynë në Parlament pranverën e 2019-ës pas djegies së mandateve, duke u bërë pjesë e asaj që u quajt më vonë si “opozita parlamentare”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re