Unë u zbulova për të luajtur në film nga Xhanfise Keko, kur isha shumë e vogël, vetëm katër vjeç. Kujtoj një ditë që në oborrin e shkollës, mësuesi ynë duke përplasur duart për të na qetësuar, tha: “Fëmijë, kjo teta dëshiron t’ju dëgjojë të recitoni”. Ne bërtitëm: “Po!”. Më pas recituam diçka për të. Nuk e mbaj mend atë poezi, por mbaj mend fjalët që më tha teta Xhano, para se të filloja recitimin tim: “Shpirt i vogël, recitoje poezinë ashtu si ti e di”. Nuk i kam harruar kurrë këto fjalë, ashtu si nuk i kam harruar kurrë, këshillat e saj ndër vite. Kujtoj fjalët e inkurajimit të Teta Xhanos për mua, poe edhe për të gjithë aktorët që kanë punuar me të. Ajo na inkurajoi duke na thënë: “Mos imitoni të tjerët! Përpiqu të jesh vetvetja, në këtë mënyrë do të jesh unik dhe do të kujtohesh”.

Disa ditë pas kërij takimi, ajo erdhi në shtëpinë time dhe kaloi kohë duke biseduar me prindërit e mi. Para se të largohej, ajo më tha që ishte shumë e emocionuar që së shpejti do të punonim bashkë, në një film së bashku me disa shokë të tjerë të klasës sime dhe se do të ndërtonim një qytet të madh, në kopshtin e shkollës sonë. U gëzova shumë, edhe pse isha e vogël për të kuptuar saktësisht, se çfarë po më shpjegonte teta Xhano atë ditë të vitit 1973, ditë e cila shënoi fillimin e karrierës time në kinema.

Filmi artistik për fëmijë “Qyteti më i ri në botë” (1974) është shumë i dashur për mua. Shkolla që u ndërtua për filmin, më dukej shkolla më e bukur në botë, plot me më të mirat e gjithçkaje, përfshirë lodrat. Por, ky film është edhe momenti ku unë nisa lidhjen time shpirtërore me teta Xhanon. Gjatë xhirimeve, shpesh shkoja për drekë në shtëpinë e saj. Ndërsa të dielave, teta Xhano dhe xhaxhi Endri më merrnin me vete dhe shëtisnim në Bulevardin e Madh të Tiranës. Isha si vajza e tyre.

Për fat të mirë, viti 1974 nuk do të ishte fundi i kohës sime me teta Xhanon. 1975-sa solli dhuratën tjetër për mua, një rol tjetër, atë të Jetës në filmin “Beni ecën vetë” (1975). Sot, ajo vajzë e vogël që luajti Jetën është rritur, martuar dhe është bërë vetë nënë. Sidoqoftë, është e mrekullueshme që sa herë takoj shqiptarë në Amerikë e nis prezantimin: “Unë jam Jeta e vogël e filmit “Beni ecën vetë”. Beni ishte ndryshe nga filmi im i parë. Këtë herë unë u detyrova të lija prindërit e mi për gati tre muaj. Këtë herë shkova larg shtëpisë dhe me teta Xhano forcuan lidhjen tonë. Ajo tani ishte nëna ime e dytë, dhe, si e tillë, e ndiqja pas, kudo që ajo shkonte. Mbaj mend se ato ditë në grupin e xhirimit ajo kujdesej edhe për ushqimin tonë, gjatë gjithë vakteve të ngrënies. Ajo sigurohej për të gjithë ne të flinim mirë, ushqeheshim mirë dhe argëtoheshim të gjithë bashkë. Ajo gjithmonë një sy e mbante te puna në film dhe një sy te ne fëmijët. Dita përfundonte për teta Xhanon, kur ajo sigurohej, që të gjithë fëmijët kishin ngrënë. Ne ishim me kokat tona të varura në tryezë, me sy gjysmë të mbyllur nga lodhja e xhirimeve. Edhe teta Xhano ndonjëherë merrte një sy gjumë me ne, në tryezën e darkës!

Filmi artistik për fëmijë “Tomka dhe shokët e tij” ishte filmi i tretë dhe i fundit që bëra me teta Xhanon. Pas tij, unë luajta në tri filma të tjerë artistikë, me regjisorë të tjerë. Tani që të gjithë jemi rritur, unë mund të vlerësoj edhe më tepër këshillat e vlefshme nga teta Xhano. Unë e i kam ndjekur ato gjithmonë në jetë dhe e ruaj të përjetshme dashurinë dhe mirënjohjen time për teta Xhanon. Ajo tani është një pjesë e shpirtit tim, por normal, ajo sot nuk më përket vetëm mua. Ju përket edhe fëmijëve të tjerë të filmit shqiptar për fëmijë.

Jam e bindur gjithashtu, se kur teta Xhano preku zemrat e ne fëmijëve dhe ne prekëm zemrën e saj. Si kthim, ajo grua rrallë e kuptoi, sesa e plotë ishte zemra e saj e mbushur me dashuri. Mbi të gjitha, sot jam e lumtur që u bëra një nga “fëmijët e teta Xhanos”.

Selma Sotillari lindi dhe u rrit në Tiranë, Shqipëri. Ajo studioi Gjuhë dhe Letërsi në Universitetin e Tiranës. Aktualisht jeton në Florida, SH.B.A dhe punon farmaciste.

Filmat e saj: “Qyteti më i ri në botë”; “Beni ecën vetë”; “Tomka dhe shokët e tij”; “Dollia e dasmës sime”; “Mësonjëtorja”.

Për të gjithë ata që marrin shkrimet autentike nga faqja Aktorët Shqiptarë.info,  dhe nuk citojne burimin do të paditen në gjykatë dhe pranë AKEP (Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare) për bllokimin e web-faqeve të tyre në territorin Shqiptar, në bazë të Nenit 80, Ligji 35/2016. Faleminderit për mirëkuptimin.

/aktoretshqiptare.info