Rrëfimet e njërit prej protagonistëve të protestës së 2 Prillit në Shkodër. Çfarë ndodhi dhe si shpërtheu dhuna në demonstratën kundër vjedhjes së zgjedhjeve, dhe që e filluan gjimnazistët.

Nga Djana Kolaj* –

Dentisti Mark Bognaj është një prej protestuesve të 2 Prillit në Shkodër. Ai ishte aty i bindur se diktaturës komuniste i kishte ardhur fundi. Bognaj nuk ka patur rast të tregojë 2 prillin e tij. Ai mbeti i paangazhuar në parti politike dhe dëshmia e tij u regjistrua vetëm në gjykatën që hetoi për ngjarjet e atyre ditëve të fillimit të demokracisë në Shqipëri.

Ai thotë se historia është treguar më shumë prej atyre që nuk ishin fare në sheshin para ish- Komitetit të PPSH në Shkodër më 2 prill 1991, ose u dukën në fund pasi godinës iu vu zjarri dhe rrugët ishin me gjak të vrarësh e të plagosurish, por që morën më pas rolin e protagonistit.

Që Mark Bognaj ishte pjesëmarrës aktiv në këtë ngjarje e vërteton dhe fakti se ai ishte një prej dëshmitarëve të pyetur në gjyqin që u zhvillua disa muaj pas ngjarjes. Lidhur me këtë ngjarje, Bognaj tregon për gazetën “Mapo” detaje deri tani të pathëna nëpër intervista apo artikuj, detaje që lidhen me ngjarjen dhe situatën kur ndodhi ajo. Marku rrëfen se si shumë intelektualë të fundviteve ’80 edhe ai kishte pakënaqësi për regjimin, sidomos lidhur me varfërinë e popullit dhe veçanërisht atij në zonat rurale, ku dhe ai ka shërbyer në ato vite.

Marku kujton se në demonstratën e heshtur të 14 janarit 1990 tek ish-busti i Stalinit në Shkodër, ka qenë aty së bashku me Pjetër Pepën, mjek, ish-deputet i PD në Parlamentin e parë pluralist dhe më pas ambasador në Vatikan. “Kontaktin e parë me Arben Brocin, – kujton Bognaj, – e kam pasur disa muaj para 2 prillit, përmes një të njohurit të përbashkët, Kolec Ndoja, inxhinier, një nga pjesëmarrësit aktivë në lëvizjen e dhjetorit 1990, shok me Arben Brocin. “Me botimin e Rilindjes Demokratike, përmes Lazër Stanit, një i njohur i imi i hershëm, kam ndihmuar të futet numri i parë në Shkodër, pasi ishte problem kontrolli i policisë. Me një makinë, gazeta ka ardhur në Shkodër dhe janë ndaluar te ‘Harku i Bërdicës’, ku unë kam dalë me biçikletë, i veshur me një komplet sportiv të vjetër dhe me një thes lini ku futej kafeja”, – kujton Bognaj duke rrëfyer se si e ka maskuar gazetën me perime të fshatit dhe pasi makina ka kaluar urën e Bahçallëkut të ruajtur nga policia, ai me biçikletë është futur në qytet përmes një rruge të dytë.

“Pasi kam mbërritur ku është sot Kisha e Zojës, disa metra më tej më ka pritur makina ku i kemi vendosur gazetat përsëri aty dhe kanë hyrë në qytet. Madje jo vetëm numrin e parë por dhe numrat e tjerë që e pasuan i kam shpërndarë dhe në zonën e Dukagjinit, meqë kisha punuar në Pult e Shosh dhe kisha njohje atje”, – thotë ai. E ndërsa shpërndante gazetën nuk ishte e vështirë që ai të lidhej me PD-në, edhe pse nuk pati asnjëherë një ambicie të tillë. Ishte një kohë kur njerëzit ende kishin frikë të merrnin gazetën.

Bognaj rrëfen se dy ditë para 2 Prillit ishte prokurori i rrethit, Ferjat Brati, me të cilin kishte njohje familjare përmes të afërmve të tyre në Tiranë, që kishte thënë se do të bëhej një demonstratë e madhe. Mark Bognaj tregon se më 1 prill ka shkuar së bashku me Kolec Ndojën në selinë e PD-së, ku ka gjetur Arben Brocin, Ali Spahinë dhe një person tjetër që po fliste me doktor Aliun. Aty ka dëgjuar këtë person, i cili ishte një burrë i shkurtër rreth të 40-ave, i veshur me një kostum gri me vija, që i thoshte doktorit me një të folur nga jugu: “Bëni shumë kujdes doktor, gjithçka është në favorin tuaj, vetëm bëni kujdes”. “Unë e Koleci folëm me Arben Brocin dhe prej tij morëm vesh se burri që fliste me doktor Ali Spahinë ishte Dilaver Papare. U larguam dhe më 2 prill kam qenë i pranishëm kur nxënësit e gjimnazit ‘Jordan Misja’ dolën te sheshi para ish-Komitetit të Partisë në heshtje”,  kujton ai.

Personat e tjerë iu bashkuan nxënësve dhe u grumbulluan dhe disa aktivistë nxorën pak flamuj e banderola dhe ua ndanë nxënësve. Ai kujton se si gjimnazistët e shkollës “29 Nëntori” në fillim hezituan të dalin e të bashkohen, por më pas, me në krye profesorin e tyre Adnand Belin dolën dhe iu bashkuan nxënësve të tjerë. Skena ishte ajo e një zone lufte. Godina e ish-Komitetit të Partisë ishte e rrethuar nga policë e ushtarë, shumë dukeshin në moshë të re. Bognaj kujton se ata dukeshin rekrutë që ishin mobilizuar ditët e fundit dhe nuk dinin të përdornin as armët. “Në tarraca dalloheshin armë, por nuk mund të them nëse ishin snajperë apo jo, siç kam lexuar të pohojnë disa nëpër intervista për këtë ngjarje. Nga poshtë ishte e pamundur të saktësoje llojin e armëve, por tytat shiheshin”, kujton ai. Duke kujtuar me hollësi çdo detaj të asaj dite, ai ka bindjen se sikur dikush nga Komiteti i Partisë, qoftë dhe ndonjë nëpunës i thjeshtë të dilte para turmës që lëshonte parulla kundër shtetit dhe manipulimit të zgjedhjeve të 31 marsit dhe të përpiqej t’i qetësonte duke u dhënë të drejtë, asgjë nuk do ndodhte nga ato që ndodhën më pas. Por askush nuk doli dhe kjo heshtje i irritoi protestuesit. Një makinë ‘Zis’ i zooteknikës që erdhi me shpejtësi dhe u afrua te hyrja e Komitetit duke u kujdesur të mos shtypte nxënësit, solli disa të rinj. Gjatë protestës, ai thotë se nuk ka njohur askënd veç Arben Brocit dhe Adnand Belit. “Më pas ndodhi ajo që dihet, filluan të shtënat, fillimisht me armë sportive dhe në ajër, pastaj me armë zjarri. Kam parë një person me biçikletë ku kishte ngarkuar lëkura bagëtish, që ka lëshuar biçikletën dhe ka marrë një megafon. Ai është qëlluar ndër të parët. Nga situata kaotike e krijuar nuk u mor vesh se çfarë bëhej konkretisht, vetëm njerëz të shtrirë, të vrarë e plagosur”, kujton ai, ndërsa thotë se pati përpjekje pas protestës që asaj t’i visheshin ngjyra fetare, por që nuk ishin të vërteta sepse aty ishin nxënës gjimnazistë dhe popull pa asnjë dallim.

Ai tregon se vetë ka kërkuar ndihmë nga një infermier në poliklinikë për të ndihmuar të plagosurit, ndërsa kujton se e pa Arben Brocin të vrarë në makinën që erdhi për të marrë trupat. “Një shofer, Agim Kashi ka vrapuar dhe ka marrë mjetin e tij ‘Zuk’, me të cilin shpërndante materiale për shëndetësinë dhe ka ardhur në shesh, ku në të kemi vendosur fillimisht dy të lënduar. Njëri ishte i vdekur dhe kur e kam hipur në mjet e kam njohur se ishte Arben Broci, tjetri kishte shenja jete”, kujton ai. Ndërsa mban mend se si gjithçka u dogj. U dogj edhe pse njerëzit ishin të varfër. Ata nxirrnin qilima e kolltuqe prej zyrave dhe i digjnin. “Këtu nxirreshin objektet edhe të padëmtuara sepse zjarri nuk kishte përfshirë njëkohësisht të gjitha ambientet e godinës me disa kate, por i shkatërronin e nuk i merrnin”, – thotë ai. Më vonë kujton se i kërkuan të shoqëronte një grup gazetarësh të huaj, të cilët frikësoheshin se mund t’u fshinin pamjet. E ndërsa kanë kaluar 24 vjet dhe kjo ngjarje tragjike ka patur dhe elemente manipuluese nga individë të veçantë për të përfituar prej saj, e vërteta është se ajo ishte një revoltë popullore kundër komunizmit, e një populli pa asnjë dallim, që shpresonte te pluralizmi dhe demokracia e para disa muajve dhe nuk mund të duronte kurrsesi manipulimin e zgjedhjeve dhe qëndrimin në krye të shtetit të atyre që kishin sunduar me dhunë të pashembullt për gati 50 vjet.

*Ky shkrim është pjesë e shkrimeve Reporterë jashtë Metropolit

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re